90 mijë metër katrorë pronë publike në Gjirin e Lalzit, një nga zonat më të lakmuara të bregdetit shqiptar do të jepen për një ‘investitor strategjik’ për 30 vite.
Ky është vendimi i marrë nga Këshilli i Investimeve Strategjike. Kompania që ka përfituar pronën shtetërore, ku do të shpyllëzohen rreth 28 hektarë nga brezi i gjelbërt i bregdetit nuk është e panjohur.
‘Omnix Albania’ ka fituar statusin e investitorit strategjik dhe ka marrë dritën jeshile për të ndërtuar hotel me pesë yje, pishina, komplekse dhe rezidenca në këtë zonë për vetëm 1 euro.
Por, kush qëndron pas ‘Omnix Albania’? Në 2016-n, kompaninë e përfaqësonte investitori amerikano-libanez, Faad Mitri. Ai kishte premtuar një investim 450 milionë eurosh në këtë zonë për të njëjtin truall.
Në këtë vit, ai u rrah barbarisht nga një grup personash në rrugën e Rinasit. Autorësia nuk u zbulua kurrë, por dyshohet se mes personave ishte edhe Aleksandër Laho, njohur si Rrumi i Shijakut.
Faad Mitri u largua me këmbë të thyera dhe hematoma të tjera të rënda në trup, duke deklaruar tërheqjen nga investimi. Mitri iku, por ideja për të grabitur pronën publike është ringjallur përmes vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike, të marrë që në korrik të këtij viti, por të bërë publik vetëm tani.
Në vendimin e marrë më 28 korrik të këtij viti, kompania merr statusin e investitorit strategjik me premtimin për të investuar 216 milionë euro. Gjithashtu, në vendim thuhet se për realizimin do të zbatohet leja e ndërtimit të marrë nga Këshilli Kombëtar i Territorit që në vitin 2016 dhe vendimeve të tjera të Qeverisë të po të njëjtit viti.
Kompania aktualisht zotërohet nga tre kompani. Matrix Konstruksion në pronësi të Arian Leskajt, Klar në pronësi të Shkëlqim Beshirit, RDA Petrol në pronësi të Fation Veizaj e Kujtim Lale dhe libanezi Jamal Abdulsalam M Abuiss.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.