Ministria e Infrastrukturës ka kundërshtuar vetveten me koncesionin Lekaj-Fier, të dhënë për 320 mln euro, ose 384 mln euro me TVSH.
Studimi i fizibilitetit i vetë ministrisë e çon koston e këtij koncesionin 35-vjeçar në 317.5 milionë euro. Oferta e vetme dhe që u shpall fituese ishte 320 milionë euro.
Diferenca mes shifrës së projektuar dhe ofertës nuk është e lartë, por së bashku me pranimin e një oferte të vetme të paraqitur na bashkimi i tetë kompanive është tregues i ngutjes së Ministrisë së drejtuar nga Belinda Balluku për dhënien e këtij koncesioni.
Kjo është njëra anë. Ana tjetër lidhet me punimet që do të kryhen. Vetëm 3.2 kilometra është gjatësia e gjurmës së re të saj, pjesa tjetër prej 42.4 kilometrash është në aks ekzistues. Nga këta, rruga Rrogozhinë-Lushnje është përfunduar e riparuar vetëm pak vite më parë me dy korsi në secilin krah. Edhe Lushnje-Fier në pjesën më të madhe të saj është e zgjeruar në parametrat e përcaktuar për korridorin blu.
Ajo që i ngelet koncesionarit është që të hapë nga një korsi në pjesët e këtyre akseve ku nuk ka të tillë, që nga një përllogaritje e Voxneës.al nuk shkojnë më shumë se 15 kilometra dhe të vendosë traun e të vjelë tarifën e kalimit te qytetarët.
Pra, 384 mln euro do të kushtojë hapja e 3 kilometrave rrugë të re me nga dy korsi në secilin krah dhe zgjerimi me një korsi i 20 kilometrave të tjerë. Kostoja për një kilometër shkon në 17 milionë euro, pothuajse sa kostoja e punimeve në Unazën e Re nga Pallati me Shigjeta te ish-Rrethrrotullimi Shqiponja.
Dallimi është se Lekaj-Fier pothuajse nuk ka shpronësime fare dhe as punime nënkalimesh e mbikalimesh, që rrisin koston për kilometër.
Këto janë arsyet se pse 8 kompanitë që morën këtë koncesion u bashkuan në një ofertë të vetme, pasi i kanë bërë llogaritë se investimi është shumë herë më i ulët se sa kostoja që përflitet te dokumentet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe fitimi shumë më i madh, e për më tepër i garantuar nga shteti.
Të paktën 1.3 miliardë euro është shifra e parashikuar me tarifë 7 euro vajtje-ardhje në këtë aks. Shuma mund të rritet nëse rritet tarifa dhe fluksi i automjeteve që do të frekuentojnë rrugën me pagesë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.