Ekskluzive: Çfarë udhëzonte Reis Malile pak ditë para hapjes së ambasadave më 2 korrik 1990?

3 July 2022, 19:18Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Në fillim korrikun e 1990, 32 vite më parë, në rrugën “Skënderbej”, ose sikurse njihet në zhargonin e përditshëm “Rruga e Ambasadave” por edhe në krejt Tiranën, situata nuk ishte kaq e qetë sa sot. Mbizotëronte një rrëmujë e madhe. Tashmë sistemi komunist ishte lëkundur, dhe shenjat ishin të dukshme, çka u kurorëzua me futjen e mijëra qytetarëve shqiptarë në pothuajse gjithë ambasadat e huaja.

Ekskluzive: Çfarë udhëzonte Reis Malile pak ditë para
Pamje nga hapja e ambasadave

Pak ditë më parë, më 28 qershor 1990, ministri i jashtëm Reis Malile hartoi një dokument sekret ku udhëzonte për masat që duhej të merreshin ndaj këtij rreziku të pritshëm. Tashmë ndonjë qytetar tek-tuk kish mundur të futej në ndonjë ambasadë, por fenomeni nuk ishte masivizuar ende. Për t’i dalë para këtij rreziku, Malile udhëzonte që të ndryshonin procedurat për marrjen e vizave nga qytetarët shqiptarë, që dëshironin të udhëtonin jashtë shtetit. Tashmë kishte dalë Dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor, i cili lejonte pajisjen me pasaportë të qytetarëve shqiptarë, sipas dëshirës. Duke ditur që kjo gjë kishte qenë e ndaluar, nënkuptohej qartë që në njëfarë mënyre regjimi po lëshonte pe. Pra, nëse merrje vizë mund të largoheshe jashtë shtetit. Sa më sipër, Malile propozonte që qytetarët shqiptarë të shkonin vetë në ambasada dhe të kërkonin pajisjen e tyre me vizë dhe jo më nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, sikurse kishte qenë praktika e deriatëhershme. Sipas Maliles kjo praktikë mbarë botërorë kishte edhe disa anë pozitive, sepse “a) Marrja direkt e vizave u heq mundësinë diplomatëve të pretendojnë se qytetarët futen nëpër ambasada për arsye se “nuk u jepet pasaporta”. Perëndimi nuk ka argument se gjoja ata nuk kanë kontakte me shtetasit tanë dhe b) Personat e interesuar për të dalë jashtë shtetit dhe që nuk iu është dhënë apo zvarritur viza nga shtete të tjera për këtë deri më sot më tepër kanë ngarkuar me përgjegjësi organet tona, kurse tani do të kenë të bëjnë direkt me ambasadat”. Po ashtu, ai udhëzonte edhe heqjen e kontrollit të fortë policor ndaj ambasadave.

Le të shohim më poshtë dokumentin e plotë të Ministrisë së Punëve të Jashtme:

***

MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME                                                                  SEKRET

Nr. 28                                                                                                              Ekzemplar nr. 4

                                                                                                            Tiranë, më 28.6.1990

Mbi hyrjet e paligjshme në disa ambasada në Tiranë

Hyrja e paligjshme e disa qytetarëve tanë në ambasada në Tiranë është pjesë e presioneve që i bëhet vendit tonë, sidomos nga Perëndimi, jugosllavët etj. Megjithë masat e marra nga organet e policisë hyrje të tilla nëpër ambasada ne vend qe te pakësohen janë shtuar dhe ekziston rreziku që të rriten akoma më tepër. Kjo ndodh edhe për faktin sepse individët duke kaluar përmes ambasadave mendojnë se mund të sigurojnë privilegje kur dalin jashtë vendit.

Deri më sot marrja e vizave nga ambasadat edhe për pasaportat e zakonshme është bërë përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme. kjo ka bërë që ambasadat të mos kenë kontakte direkte me personat e interesuar. Zakonisht, në shtetet e tjera të botës qytetarët pasi pajisen me pasaportë shkojnë vetë i marrin vizat nëpër ambasada e konsullata.

Me daljen e Dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor për pasaportat, numri i personave që do të udhëtojnë jashtë shtetit do të jetë shumë i madh. Në këto rrethana del nevoja që edhe qytetarët tanë, pasi të pajisen me pasaportë, të shkojnë vetë nëpër ambasadat e ndryshme për të marrë vizat përkatëse. Kjo mënyrë veprimi ka disa anë pozitive:

a)     Marrja direkt e vizave u heq mundësinë diplomatëve të pretendojnë se qytetarët futen nëpër ambasada për arsye se “nuk u jepet pasaporta”. Perëndimi nuk ka argument se gjoja ata nuk kanë kontakte me shtetasit tanë.

b)     Personat e interesuar për të dalë jashtë shtetit dhe që nuk iu është dhënë apo zvarritur viza nga shtete të tjera për këtë deri më sot më tepër kanë ngarkuar me përgjegjësi organet tona, kurse tani do të kenë të bëjnë direkt me ambasadat.

Nuk përjashtohet që edhe pas kësaj përsëri të ketë raste që të mbeten njerëz nëpër ambasada dhe në rrethana të caktuara politike mundet të futet edhe ndonjë grup. Por në raste të tilla pozita e ambasadës në opinion do të jetë më e vështirë.

Gjithashtu jemi të mendimit që në të ardhmen qytetarët tanë në rastet kur duan të komunikojnë direkt me ambasadat e huaja për probleme pasurie, trashëgimie, pensioni etj. Të lejohen të hyjnë në të. Ekziston edhe mundësia e përpunimit të ndonjë qytetari tonë nga agjentura që punojnë në ambasada. Kjo nxjerr detyrën e rritjes së vigjilencës. Megjithatë duhet shtuar se ky rrezik nuk evitohet dot, sepse veprime të tilla mund të ndërmerren prej tyre bile dhe në kushte më të përshtatshme gjatë kohës kur qytetarët tanë ndodhen në shtete të ndryshme si vizitorë e ku janë jashtë çdo kontrolli.

Regjimi i sotëm i kontrollit të fortë nga ana e policisë ndaj ambasadave duhet të hiqet. Të vendoset ruajtja e zakonshme.

Organet e rendit publik të mos hyjnë në asnjë mënyrë në territorin e përfaqësive, me përjashtim të rasteve kur thirren për ndihmë nga personeli i vetë ambasadës.

 ***

Për personat që tani ndodhen nëpër ambasada, jemi të mendimit që ata të lejohen të largohen nga vendi ynë sipas rregullave. Në qoftë se ambasadat kërkojnë t’i shoqërojnë me personelin e tyre për përgatitjen e pasaportës e deri në largim, t’i lejojmë. Ministria e Punëve të Jashtme të mos merret me shoqërimin e tyre.

***

Lidhur me masat e mësipërme të thirren në Ministrinë e Punëve të Jashtme titullarët e përfaqësive diplomatike në Tiranë, t’ju flitet edhe njëherë për Dekretin për pasaportat, për shkuarjen direkte të qytetarëve tanë nëpër ambasada për të marrë vizën; t’u përmenden detyrat e përfaqësive diplomatike në përputhje me Konventën e Vjenës, t’u theksohet se autoritetet shqiptare nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për ç’ka mund të ndodhë në ambasadë nga persona që strehohen, pse mes tyre mund të ketë edhe keqbërës, etj. Mbi këtë bazë t’ju dorëzohet dhe një promemorie.

Reis Malile

Nënshkrimi 

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video