
Bundestagu gjerman ka ngritur një komision të posaçëm, detyra e të cilit është të mbledhë mendimet e ekspertëve lidhur me menaxhimin e pandemisë së COVID-19.
Pa dyshim, gjatë kësaj periudhe pati edhe shumë gabime: nga fakti se masat u dukeshin qytetarëve plotësisht të pakuptimta, deri te rastet e shumta kur fondet publike u shpërdoruan ose përfunduan në xhepat e personave të dyshimtë.
Komisioni ka ftuar ekspertë nga fusha e shkencës dhe medias gjermane, ndërsa secili grup parlamentar kishte të drejtën të propozonte ekspertët e vet.
Lidhja (e pa)shëndetshme mes shkencës dhe politikës
Folësi i parë ishte Tilman Betsch, profesor i psikologjisë sociale, organizative dhe ekonomike në Universitetin e Erfurtit në landin gjerman të Turingisë. Ai e nisi vlerësimin e tij me një koment kritik ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump, duke thënë se është i lumtur që jeton në një vend ku presidenti nuk rekomandon dezinfektuesin si ilaç, por në një vend ku dëgjohen shkencëtarët.
“Kur makina ime prishet, unë konsultohem me një automekanik. Kur jam i sëmurë, konsultohem me mjekun tim”, tha ai. Megjithatë, sipas Betsch, në Gjermani situata shkoi shumë larg, sepse në një moment nuk ishte më e qartë se kush po merrte vendimet përfundimtare: shkencëtarët apo politikanët. Kjo, sipas tij, u shërbeu politikanëve si justifikim për t’ia deleguar përgjegjësinë shkencës.
Ai vlerësoi se menaxhimi i pandemisë iu afrua kaosit, pasi u neglizhuan çështje të rëndësishme si socializimi i fëmijëve, arsimi dhe ndikimi në ekonomi.
Këshilla e tij për krizat e ardhshme është e qartë: të përcaktohen objektiva të qarta, të komunikohen ato, të përshtaten kur është e nevojshme dhe të shpjegohen vendimet. Ndërkohë, shkenca duhet t’u përmbahet fakteve dhe jo të japë rekomandime të bazuara në hamendësime. “Shkenca nuk duhet të ushtrojë ndikim moral apo normativ”, tha ai.
Propagandë apo informacion?
Gazetari dhe studiuesi i medias, Michael Meyen, e përqendroi kritikën te roli i mediave gjatë pandemisë. Sipas tij, ato u shndërruan në një makineri propaganduese në favor të vaksinimit kundër koronavirusit. Ai i akuzoi mediat se “përhapën frikë dhe vunë në pikëpyetje legjitimitetin e dyshimeve dhe protestave”.
Qëndrimet e tij të ashpra e bënë Meyen figurë të debatueshme gjatë pandemisë, dhe polemikat vazhdojnë edhe sot. Universiteti Ludwig Maximilian i Mynihut, ku ai ligjëroi për 24 vjet, e akuzoi për mbështetje të lëvizjeve antivaksinë dhe e pensionoi para kohe në mars të vitit 2026.
Në deklaratën e tij me shkrim, Meyen ngriti kritika konkrete ndaj redaksive që, sipas tij, transmetonin informacion pa e analizuar në mënyrë kritike. Ai përmendi si shembuj raportimet mbi kapacitetet e reparteve të kujdesit intensiv, mënyrën e përhapjes së informacioneve dhe bazën shkencore për distancën e rekomanduar mes njerëzve.
“Lajme” të nxjerra jashtë kontekstit
Eksperti i komunikimit Marcus Maurer nga Universiteti i Mainzit argumentoi se raportimet për pandeminë shpeshherë ishin të shkëputura nga konteksti.
“Çdo ditë dëgjonim sa njerëz kishin vdekur nga koronavirusi, por rrallëherë jepeshin shifra krahasuese. Sa njerëz vdesin nga gripi? Sa nga kanceri i mushkërive? Vetëm atëherë mund ta vendosnim situatën në një kontekst realist”, tha ai.
Maurer vuri në dukje edhe problemet strukturore të redaksive gjermane, të cilat papritur u përballën me nevojën për të mbuluar një temë shumë komplekse si pandemia. Sipas tij, mungesa e kohës dhe e ekspertizës bëri që mediat të vareshin më shumë se zakonisht nga informacionet që vinin nga politika dhe komuniteti shkencor.
Përfundimi i tij ishte se gjatë pandemisë mediat, në përgjithësi, treguan më shumë kujdes sesa ndoshta ishte e nevojshme dhe shpesh mbështetën masat më të rrepta kufizuese.
A ishte media mjaftueshëm kritike?
Megjithatë, Maurer nuk ndan mendimin se mediat kanë kursyer qeverinë e ish-kancelares Angela Merkel. “Përkundrazi, të gjithë aktorët përgjegjës u kritikuan ashpër. Sa më gjatë zgjaste pandemia, aq më intensive bëheshin kritikat, sepse krijohej përshtypja se nuk po arrinin të ofronin zgjidhje”, tha ai.
Ai e përshkruan këtë si një situatë paradoksale: mediat mbështetnin masat, por njëkohësisht kritikonin qeverinë.
Edhe sociologu Peter Weingart, ish-profesor në Universitetin e Bielefeldit, mendon se izolimi dhe masat e rrepta ishin të justifikuara. Megjithatë, ai e konsideron gabim faktin që ekspertë nga fusha të tjera, jashtë mjekësisë, nuk u përfshinë në kohë në procesin e vendimmarrjes.
Sipas tij, shqetësimet për mbylljen e shkollave mund të ishin trajtuar më mirë nëse do të ishte dëgjuar më herët opinioni i specialistëve të arsimit dhe shkencave sociale.
“Jo çdo virolog është ekspert për koronavirusin”
Gazetarja Korinna Henning nga radiotelevizioni publik NDR pranoi se edhe mediat kanë bërë gabime.
Në kërkim të temave të reja, shumë media sollën para kamerave ekspertë dhe “ekspertë”, përfshirë edhe mjekë që nuk kishin domosdoshmërisht kompetencë për COVID-19. “E thënë thjesht: jo çdo virolog është ekspert për koronavirusin”, tha ajo.
Megjithatë, Henning theksoi se pandemia solli edhe mësime të vlefshme për bashkëpunimin mes shkencës dhe mediave. Sipas saj, në një situatë me masa kaq drastike, nuk mjaftonte vetëm prezantimi i ekspertëve para publikut. “Duhej të shpjegonim vazhdimisht se si krijohet njohuria shkencore”, tha ajo.
Po aq e rëndësishme ishte edhe shpjegimi i dallimit ndërmjet fakteve të vërtetuara dhe hipotezave që mund të rezultonin të sakta ose jo.
Hendeku shoqëror mund të ishte shmangur
Henning tha se nuk është e befasuar nga frika dhe pasiguria që u përhap në rrjetet sociale.
“Ne, gazetarët dhe të gjithë ata që merren me komunikimin publik, kemi përgjegjësi t’i bazojmë debatet në njohuri profesionale, të korrigjojmë dezinformatat dhe t’u ofrojmë qytetarëve informacion të mjaftueshëm për të marrë vendime të informuara”, u shpreh ajo.
Për një çështje, të gjithë ekspertët e ftuar para komisionit parlamentar ranë dakord: komunikimi ndërmjet politikës, shkencës dhe medias duhej të kishte qenë shumë më i mirë. Në vend të krijimit të kampeve të ndara mes “besimtarëve” dhe “mosbesimtarëve”, nevojitej më shumë dialog dhe transparencë.
Edhe Marcus Maurer theksoi se ekzistojnë arsye legjitime pse disa njerëz nuk dëshironin të vaksinoheshin. “Ata nuk duhet të ofendohen për këtë”, tha ai.
Por ai mbron edhe politikanët, të cilët, sipas tij, u përpoqën me qëllimet më të mira të udhëhiqnin shoqërinë gjatë një krize të vështirë. “As ata nuk duhet të etiketohen si diktatorë të koronavirusit”, tha Maurer. Megjithatë, përfundimi i tij mbetet optimist: “Nëse kemi mësuar diçka nga kjo përvojë, atëherë herën tjetër do ta bëjmë shumë më mirë.”/ DW