Shqipëria nuk është republikë parlamentare, është republikë e kryetarëve

21 April 2022, 22:23Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shqipëria nuk është republikë parlamentare, është
Sali Berisha dhe Edi Rama në Kuvend

SHËNIM: “Nëse do kthehesha pas në kohë dhjetë herë, dhjetë herë do të bëja të njëjtën gjë pikërisht për të shmangur situata ku individë të tillë (Sali Berisha) të bllokonin një proces e merrnin peng vendin”.

Kështu deklaroi Edi Rama në seancën parlamentare të Kuvendit këtë të enjte duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese të 2008-s. Rama u referohej ndryshimeve kushtetuese që prekën mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit.

Ashtu se si rrodhën ngjarjet më vonë, koha ndoshta i ka dhënë të drejtë Edi Ramës në këtë kapitull, por mes ndryshimeve që u votuan 14 vite më parë ishin edhe ndryshimet që e vunë gjithë parlamentarizmin nën thundrën e kryetarëve të partive.

Si? Ndryshimet sheshuan sistemin mazhoritar, ku 100 deputetë zgjidheshin sipas votës personale dhe logos së partisë në 100 zonat zgjedhore dhe 40 të tjerë përmes proporcionalit kombëtar. Kjo mënyrë zgjedhjeje nuk ishte më e mira, por në krahasim me sistemin proporcional rajonal që u kalua ishte më e mirë.

Ndryshimet u dhanë pushtet të pakufizuar kryetarëve të partive. Më shumë se sa votuesit, prej këtyre ndryshimeve kanë qenë kryetarët ata që kanë vendosur se kush do të ishte deputet. Sa për shembull; në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 2009-s, në një prej qarqeve Berisha pyeste kryetarin e degës së PD-së se sa mandate do të merrte.

Kryetari i degës, ndoshta për t’i krijuar përshtypje të mirë Berishës se dega ishte e fortë dhe PD favorite i thotë 8 nga 14 mandate që kishte qarku. Berisha e bëri shembull dhe e vendosi kryetarin e degës të tetin, ndërsa PD mori vetëm 7 mandate.

Shembulli tjetër vjen nga Rama. Si kryetar opozite, po në fushatën e 2009-s, Rama shkon në një bastion të socialistëve dhe kur sheh gjendjen urbanistike të zonës i kërkon llogari deputetit të PS-së. Deputeti i thotë se ‘ishte një zonë e majtë, që PS e fitonte vetëm duke lënë ai pallton atje’. Kur u përpiluan listat e kandidatëve, Rama e zhduku në fund të listës deputetin në fjalë.

Dy shembujt janë sa identike, aq edhe të ndryshëm. Identikë janë se ata tregojnë se sa pushtet u dhanë kryetarëve të partive ndryshimet kushtetuese të 2008-s.

Ky pushtet i kryetarëve ndër vite u transferua në Kuvend. Nëse para 2009-s rebelimet brenda llojit nuk mungonin, pas këtyre zgjedhjeve ato thuajse u zeruan dhe sipas raporteve të nxjerra nga Instituti i Studimeve Politike ra edhe cilësia e përbërjes parlamentare.

Pra, ndryshimet kushtetuese të 2008-s shkatërruan republikën parlamentare dhe sot vendi de jure ka emrin republikë parlamentare, por de fakto është republikë kryetarësh. Kryetarët janë ata që kanë në dorë kush bëhet deputet e kush jo dhe ky pushtet tremb këdo që mund të ketë ambicie, apo mbështetje mes qytetarëve për t’iu kundërvënë kryetarëve.

Prandaj sot asnjëra palë nuk bën zë kur hidhet për diskutim referendumi, apo vota popullore për zgjedhjen e presidentit, sepse në të vërtetë prej të paktën 14 vitesh askush prej tyre s’e ka provuar votën popullore, por janë ngjitur e bërë karrierë nën siglën e partive dhe servilizmin ndaj kryetarit.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video