
Partia e Ilir Metës doli me një deklaratë këtë të martë, ku shpreh shqetësimin për mbipopullimin në burgjet shqiptare.
Shqetësimi është përcjellë përmes zëdhënësit të partisë, Tedi Blushi dhe në të citohet raporti i organizatës “World Prison Population”.
Por, një tjetër rekord i zi, tepër tronditës dhe i paimagjinueshëm është që Shqipëria radhitet e para në rajon për numrin e të burgosurve në raport me popullatën. Sipas Ilir Metës, Shqipëria ka numrin më të madh të të burgosurve në krahasim me vendet e rajonit në raport me popullsinë.
Raporti vëren se Shqipëria ka 179 të burgosur për 100 mijë banorë. Problemi është se gjetja e Ilir Metës nuk është e re, sepse Shqipëria ka të paktën një dekadë që ka numrin më të lartë të të burgosurve për frymë në rajon dhe ndër më të lartët në Europë, ku rekordi mbahet në 2015-n me 207.3 të burgosur për 100 mijë banorë.
“Shkaku kryesor dhe i pakundërshtueshëm i kësaj situate është vetëm varfëria, humbja e shpresës për shkak se vendi qeveriset nga një Qeveri hajdute që grabit miliarda e vjedh me çdo gjë. Ky fakt provon se në Shqipëri, me Qeverinë e Edi Ramës rritet vetëm varfëria dhe burgosja”, thotë Ilir Meta.
Koha e këtij ‘denoncimi’ të Ilir Metës, nëse mund të quhet kështu ngre dyshime për sinqeritetin e ish-Presidentit, sepse nisur nga shifrat me të drejt lind pyetja; po në 2015-n, kur Ilir Meta ishte në qeveri e kur është rekordi historik i të burgosurve me mbi 600 mijë të tillë, a nuk ishte qeveria e korruptuar, e krimit të organizuar, trafikantëve dhe pastruesve të parave, siç thotë sot Meta?
Më shumë se sa serioz, ky denoncim i Ilir Metës që mbërrin në një kohë kur SPAK ka nisur hetimet ndaj tij për të paktën dy kallëzime, duket si ‘justifikim’ për t’iu shmangur burgut. Njësoj sikur të thotë ‘mos më denoni, se s’ka vende në burgje’.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.