Duke përmendur ndryshimet ligjore në mbështetje të sportistëve elitarë në mënyrë që ata të mos braktisin Shqipërinë, Edi Rama solli si shembull mundësin klasik, Elis Guri.
“Sportistë shqiptarë që shkojnë ta kërkojnë fatin gjetkë, për shkak se nuk kanë asgjë, siç ndodhi me kampionin Elis Guri, i cili u detyrua të vishte fanelën e Bullgarisë dhe të ngrinte flamurin e Bullgarisë për të dalë kampion dhe jo në 1991-n, por në 2012-n...nuk ka më gjëra të tilla”, deklaroi Rama.
Kryeministri foli gjatë ceremonisë së vlerësimit të boksierit Florian Marku. Në fjalën e tij, ka një lapsus të vogël, ai që Elis Guri zgjodhi të përfaqësojë Bullgarinë jo në 2012-n, por që në 2008-n. Ky është lapsusi i vogël, lapsusi i madh është fakti që Guri u arrestua në 2018-n si pjesë e një grupi të prodhimit dhe trafikut të lëndëve narkotike.
Guri u ndalua në kuadër të operacionit “Vol-Vo 4” bashkë me 18 persona të tjerë dhe nga përgjimet e Prokurorisë del se kishte një rol aktiv në këtë grup. Sipas këtyre përgjimeve, Elis Guri është kapur në një bisedë telefonik me Astmer Bilalin, një tjetër të arrestuar në këtë operacion.
“Në përgjimet telefonike, del që Florenc Xheleku telefonon Astmer Bilalin dhe i thotë që ka mbërritur dhe në këtë moment Astmer Bilali telefonon Elis Gurin dhe e vë në dijeni se “kanë ardhur ata shokët”, ndërsa kampioni i mundjes i thotë se “ndodhet në Tiranë dhe se ata duan atë që ai ka aty”, duke nënkuptuar sasinë e kanabisit”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Karriera e Elis Gurit
Elis Guri ka lindur në Shkodër, më 6 korrik 1983 dhe është një sportist shqiptar i mundjes klasike në peshën 96 kg. Suksesi i tij më i madh shënohet së pari në Kampionatin Europian që u zhvillua në Finlandë, ku Elis Guri shpallet fitues i medaljes së bronzit në peshën 96 kg.
Por dhe në Kampionatin Botëror 2007 Elis Guri klasifikohet i 7-ti në peshën 96 kg, duke fituar të drejtën e përfaqësimit me kualifikim në Lojërat Olimpike “Pekin 2008″.
Si pjesëmarrës për herë të parë në një olimpiadë, Guri renditet në vendin e 8-të, duke shënuar dhe rezultatin e dytë më të mirë të arritur nga kuqezinjtë tanë. Të tjera rezultate të Gurit mund të përmendin vendi i 7-të në Lojërat Mesdhetare “Almeria 2005”, medalje argjendi në turneu botëror Trofeu “Milone 2006”.
Pas vitit 2008, Elis Guri garon për Bullgarinë dhe me 13 shtator 2011 merr medaljen e arit në Kampionatin Botëror të Mundjes në kategorinë 96 kg.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.