Çorba me miell që gatoi për darkë ministrja Ibrahimaj

18 March 2022, 21:39Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Çorba me miell që gatoi për darkë ministrja Ibrahimaj

Shqiptarët nuk duhet të kenë pritshmëri të larta nga bordi i ri i ngritur nga qeveria për kontrollin e çmimeve të ushqimeve. Këtë e paralajmëroi ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj në një konferencë për mediat të thirrur në një orar të pazakontë këtë të premte.

Pasi u qau hallin tregtarëve të shumicës e pakicës, Ibrahimaj tha se si ata kishin premtuar që nuk do të fitonin më kaq shumë, por do të merrnin fitime minimale, madje disa prej tyre, sipas Ibrahimajt ishin gati që të hiqnin dorë nga fitimet.

Megjithatë, ajo që mund të bënte diferencën për uljen e çmimeve të shportës është heqja e TVSh-së. Por, kur u pyet nga gazetarët, Ibrahimaj e rrëzoi këtë si mundësi përmes një përgjigje pa përgjigje.

Ministrja u pyet për heqjen e TVSh-së 20 për qind për produktet, por ajo bëri sikur s’e kuptoi dhe u sorollat në miell për të gatuar një brum të thartuar si përgjigje.

“Ne nuk do ndërhyjmë në TVSH e produkteve të shportës, çdo vend ka sistemin e vet të taksimit. Vitin e kaluar morëm një vendim i cili prek pjesën më të madhe të bizneseve dhe prek 95 mijë biznese të vogla ku ne rritëm pragun e TVSH mbi 10 mln lekë dhe të tatim fitimit mbi 14 mln lek. 95 mijë biznese nuk paguajmë asnjë taksë dhe asnjë TVSH. Janë produkte që tregtohen kryesisht nga këto biznese. Nëse do t’i referohemi miellit, 90 për qind është miell i cili shkon për konsumin e madh që shitet nëpër furrat e bukës, apo pika shumice. Është vetëm një 10 për qind që shitet me kilogram. Çdo konsumator konsumon më shumë bukë sesa miell për kilogram”, tha Ibrahimaj.

Çorbën e sqaroi më pas ministrja Frida Krifca, që i hodhi përsipër grurë e miell serb, kur tha se sipas marrëveshjes, Serbia ‘zemërmadhe’ do të vazhdojë të na mbajë me bukë.

Ndërkohë, po në këtë konferencë, ministrja Ibrahimaj i qëndroi edhe deklaratës, sipas të cilës shqiptarët që marrin 130-140 euro në muaj nuk konsiderohen të varfër, duke thënë se e kishte të bazuar në statistika, por nuk solli statistika.

“Sot jemi për të folur për krizën, deklarata është një pyetje që mu bë për një tregues statistikor. Kam teknikalitet në statistika. Ne mund të flasim shumë gjatë për këtë tregues , por nuk është sot momenti për mënyrën se si INSTAT kalkulon shifrat. Sot është momenti për të folur për produktet e shportës”, tha ajo.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video