Nafta në Mal të Zi është 60 lek më lirë, në Shqipëri Bordi i Çetit s’pyet për bursat

15 August 2022, 19:24Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Nafta në Mal të Zi është 60 lek më lirë, në
Shefqet Kastrati dhe Paulin Gega

Mali i Zi ka çmimin më të ulët të karburanteve ndër vendet e rajonit, megjithatë Qeveria në Podgoricë ka vendosur uljen edhe me 10 cent, ose rreth 10 lek të reja të litrit të naftës.

Sipas vendimit, nafta do të kushtojë 1.39 euro për litër, ose rreth 160 lek. Ulja e çmimit, veç lidhjes me çmimet në tregjet ndërkombëtare, ku një fuçi nafte po luhatet rreth 90 dollarëve edhe pas vendimit të kompanisë së Arabisë Saudite, Aramco për të rritur prodhimin, është edhe pasojë e politikave të qeverisë malazeze, e cila ka reduktuar edhe taksat.

Prej reduktimeve është ulja e akcizës me 50 për qind, që në treg përkthehet në ulje të litrit të naftës me rreth 10 cent. E thënë më thjeshtë, pas këtij vendimi në Mal të Zi çmimi i naftës do të ulet nga 170 lek në 160 lek.

Po në Shqipëri çfarë ndodh? Një litër naftë në Shqipëri është 30 deri në 35 për qind më shtrenjtë se në Mal të Zi, ose rreth 60 lek më shumë dhe kjo falë vendimeve të Bordit të Çetit.

I ngritur për mbrojtjen e xhepave të qytetarëve, Bordi po majm llogaritë e oligarkëve, Shefqet Kastrati e Paulin Gega. Pse? Përgjigja është e thjeshtë. Dy javë më parë, çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare zbriti për herë të parë poshtë nivelit që ishte para nisjes së luftës në Ukrainë.

Një fuçi shitej me 90 deri në 94 dollarë. Por, Bordit të çmimeve iu deshën disa ditë që të mësonte këtë lajm dhe pasi e mësoi u mblodh dhe e uli naftë me 1 lek, në një vendim që mund të konsiderohet si tallja më e madhe që prej themelimit të këtij bordi.

Ulja qesharake e çmimit pasoi kritika e ironi nga qytetarët. Bordi iu përgjigj pas tre ditësh, këtë herë duke e ulur çmimin e një litri nafte me 4 lek.

Pra, brenda pesë ditëve, Bordi e uli çmimin e naftës me 5 lek në total, megjithëse në bursa çmimet kishin rënë poshtë nivelit që ndodheshin para nisjes së luftës në Ukrainë.

Njoftimi se Ukraina kishte mbyllur tubacionin naftësjellës drejt Europës Qendrore prodhoi efektin e kundërt në bursa, ku çmimi i naftës u rrit sërish lehtë.

Bordi i ndjeshëm u mblodh brenda 24 orëve dhe me shpejtësi vendosi rritjen e çmimit me pesë lek. E gjithë veprimtaria e Bordit, që iu deshën pesë ditë për të ulur me 5 lek litrin e naftës, por vetëm pak orë për ta rritur atë përforcon bindjen e shumë qytetarëve se ky bord po u shërben oligarkëve të naftës.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video