Meta del me tezën e re: Më është manipuluar dosja

22 August 2022, 19:37Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Meta del me tezën e re: Më është manipuluar dosja

Kur rrodhi në publik në fund të muajit korrik shkresa e Autoritetit të Dosjeve drejtuar Kuvendit për një ish-bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit me inicialet I.M., që autoriteti më vonë do ta identifikonte si Ilir Meta, ky i fundit heshti për gati 24 orë.

U përpoq që me heshtja ta kalonte si një kërkesë pa rëndësi përballë betejës që tha se kishte nisur; luftën kundër korrupsionit të qeverisjes së Ramës.

Por, shpërthimi i lajmit në të gjitha mediat e portalet (përfshirë këtu edhe në mediat që perceptohen si favorizuese të ish-Presidentit), heshtja nuk vlente më.

Ilir Meta reagoi e tha se nuk ishte ai personi me inicialet I.M., për të cilat flitej në dosjen e Autoritetit. Ky ishte qëndrimi fillestar.

Ky qëndrim do të ndryshonte pa mbushur ende 24 orë. Këtë herë, Ilir Meta akuzonte Autoritetin për manipulim të dosjeve në një skenar, që tha se ishte mafioz dhe i dënueshëm. Premtoi se Autoriteti do të mbante përgjegjësi institucionale dhe individuale për këtë manipulim, por pa shtuar më shumë.

Socialistët nga ana tjetër futën në Kuvend kërkesën e Autoritetit për të ndryshuar ligjin, ndryshim që do t’i mundësonte këtij institucioni që të hapte plotësisht dosjen në fjalë, ku beson se Ilir Meta ka spiunuar planin e arratisjes së shokut të klasës në universitet, Filip Talo te Sigurimi i Shtetit.

Meta e shmangu komentimin e drejtpërdrejt e në daljet publike betohej për pastërtinë e tij të figurës, pastërti që e ka siguruar përmes një certifikate nga komisionet Mezini e Bezhani.

Ky ishte qëndrimi publik, ndërsa pas perdeve me siguri ka lëvizur gurët për ta mbyllur këtë çështje, duke e pranuar me veprime atë që refuzon të pranojë me deklarata; pra që dosja ekziston.

Lëvizjet deri më tani kanë dështuar dhe kjo u kuptua në daljen e kësaj të hëne para mediave të kreut të Partisë së Lirisë.

“Më datë 1 shtator do të padis Autoritetin e Dosjeve për manipulimin”, deklaroi Meta.

Pyetja që lind është pse nuk e paditi menjëherë? Pse nuk e ka paditur deri më tani? Volumi në këtë rast i padisë nuk është masiv, por i thjeshtë dhe me dokumentacionin referues gati. Arsyeja e vërtetë mund të jetë koha.

Ilir Meta po i jep ende kohë vetes që të parandalojë përmes manovrave okulte bërjen publike të dosjes që Autoriteti thotë se ka në arkivat e ish-Sigurimit. Kjo është arsyeja pse njoftoi edhe datën se kur do ta dorëzojë padinë.

Pak ditë më vonë nis edhe sesioni i ri parlamentar, ku PS ka dorëzuar ndryshimet si në ligjin për dosjet, ashtu edhe në atë të dekriminalizimit. Të dyja nismat do ta linin jashtë Kuvendit kreun e Partisë së Lirisë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video