PS propozon ndryshimin e dekriminalizimit për të lënë jashtë Kuvendit Metën e Berishën

18 August 2022, 18:01Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
PS propozon ndryshimin e dekriminalizimit për të lënë
Sali Berisha dhe Ilir Meta

Partia Socialiste synon që me dy ndryshime në ligjin e dekriminalizimit të lërë jashtë parlamentit si Sali Berishën, ashtu edhe Ilir Metën.

Ndryshimet e propozuara nga mazhoranca konsistojnë në dy drejtime. Së pari është ai për ndalimin e kandidimit nga e drejta për t’u zgjedhur e personave që klasifikohen si bashkëpunëtore, apo të favorizuar nga sigurimi i shtetit në bazë të dosjeve që ka në arkivën e Autoritetit të Dosjeve.

Ky Autoriteti i ka dorëzuar Kuvendit kërkesën për të ndryshuar ligjin që të verifikojë dosjen e personit me incialet I.M., për të cilin thotë se është Ilir Meta. Krahas këtyre ndryshimeve, përjashtimi përforcohet në ligjin e dekriminalizimit.

"Qëllimi i këtij ligji është të garantojë besimin e publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura shtetërore, institucioneve të pavarura dhe atyre të krijuara me ligj, të administratës publike, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to, apo largimit nga funksioni publik të personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen të krimeve, sipas këtij ligji, si dhe të personave që rezultojnë se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, propozohet në pikën e parë të nenit 1.

"Objekti i këtij ligji është mbrojtja dhe garantimi i mirëfunksionimit demokratik të Kuvendit, organeve të qeverisjes vendore, institucioneve kushtetuese apo të krijuara me ligj, administratës publike, Forcave të Armatosura, organeve të rendit publik, sigurisë kombëtare dhe çdo institucioni apo entiteti tjetër ekonomik shtetëror, nga ndikimi apo pjesëmarrja në politikëbërje dhe/ose vendimmarrje i personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen e krimeve, sipas këtij ligji, si dhe të personave që rezultojnë se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”", thuhet në pikën e dytë të propozimit të PS.

Në këtë rast, kandidatët veç formularit aktual të dekriminalizimit do t’u kërkohet që të plotësojnë edhe një formular të dytë në të cilin të ‘konfirmojnë se nuk janë bashkëpunëtore të sigurimit të shtetit’.

Përjashtimi i Sali Berishës nga e drejta për t’u zgjedhur është më kompleks.

Në propozimin e PS-së për ndryshimet në ligjin e dekriminalizimit thuhet se nuk mund të zgjidhen këshilltarë, kryetarë bashkie, apo deputetë shtetasit “që janë dënuar me një vendim jopërfundimtar nga një autoritet gjyqësor i një shteti anëtar të BE-së, SHBA-së, Kanadasë, Australisë, apo për të cilët është vendosur masë sigurimi personal dhe/ose është lëshuar një urdhër kërkimi ndërkombëtar nga autoritetet e një prej këtyre shteteve, për kryerjen apo tentativën e kryerjes së një prej veprave penaletë parashikuara në pikën 1, shkronja “a”, të këtij neni. Për personat që plotësojnë kushtet e këtij paragrafi, ndalimet zbatohen në përputhje me pikën 5, të nenit 10, dhe pikën 1, të nenit 16, të këtij ligji”.

Formë mase sigurimi personal është edhe ndalimi i hyrjes për në SHBA e Britaninë e Madhe për Sali Berishën. 

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video