Kush do ta paguajë shifrën e majme të Thumanë-Kashar?

26 May 2022, 18:58Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kush do ta paguajë shifrën e majme të Thumanë-Kashar?
Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku përsëriti këtë të enjte një gënjeshtër të vjetër 3-vjeçare. “Anuluam koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar pasi paratë shkuan për Paktin për Universitetin”, tha Balluku.

Para protestës së studentëve të fundit të 2018-s dhe fillimit të 2019-s, Qeveria mbronte dhënien e Thumanës me PPP për kompaninë Gener 2 të Bashkim Ulajt me arsyetimin se ajo nuk i kishte paratë dhe për këtë qëllim i ishte drejtuar partneritetit me privatin.

Kur përmasat e protestës studentore dolën jashtë kontrollit, qeveria e anuloi projektin dhe tha përmes Belinda Ballukut se këtë hapësirë fiskale do të shfrytëzonte për studentët dhe universitetet.

“Ky është komunikimi ynë i parë zyrtar për shkak të volumit të punës ne do të takohemi më shpesh. Dua t’ju bëj me dije që kam vendosur ndërprerjen e procedurës së partneritetit Publik Privat për aksin Thumanë-Kashar. Hapësirën e konsiderueshme fiskale të këtij projekti qeveria do ta dedikojë në funksion të zbatimit e angazhimeve për Paktin e Universitetit, në fushën e infrastrukturës arsimore, qoftë asaj dixhitale dhe qoftë asaj fizike”, deklaronte Balluku.

Projekti Thumanë-Kashar iu dha kompanisë Gener 2 për rreth 226 mln euro pas një oferte të pakërkuar. Kostoja e lartë shkaktoi akuza për një aferë korruptive. Tre vite pas anulimit, Belinda Balluku rikthehet me një tjetër deklaratë, këtë herë të ngjashme me atë të Arben Ahmetajt nga foltorja e Kuvendit, kur zotohej për një projekt se “qytetarët nuk do të paguanin asnjë qindarkë, por do t’i mbulonte buxheti i shtetit”.

Çfarë tha?

“Shteti nuk investon mbi këtë kontratë, Aksi do të investohet në parimin e koncesionit që do të investojë dhe operojë e transferojë pas 35 vitesh në pronësi të shtetit shqiptar. Procesi është bërë përmes një negocimi dhe nuk duhet harruar se është ndër më të rëndësishmet të korridorit blu dhe synojmë të hapim lotet brenda vitit 2022 që t’i kemi të përfunduar në 36 muajt e ardhshëm”, deklaroi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.

Pra, shteti nuk do të investojë asnjë lek për këtë aks me rëndësi për qytetarët shqiptarë, por qytetarët do ta paguajnë sa herë që do të kalojnë në atë rrugë për 35 vitet e ardhshme. Nuk ka asgjë të keqe në këtë mes, pasi rrugë me pagesë ka kudo. Çështja është se aty ku ka rrugë me pagesë, ka edhe rrugë dytësore falas për këdo që nuk dëshiron të paguajë.

A do t’i ketë kontrata e re e njoftuar nga Balluku? Po pagesa për kalim është përcaktuar në kontratë dhe nëse po, sa do të jetë? A ka kontrata ndonjë klauzolë që i garanton kompanisë trafikun e munguar? Nëse po, sa është numri minimal i makinave që duhet të kalojnë në ditë?

Këtyre pyetjeve duhet t’u përgjigjet ministrja e Infrastrukturës dhe këtu më shumë rëndësi merr pyetja e dytë. Sepse nëse kompania private do të niset nga vlera 226 mln euro e projektit për vetëm 21 kilometra distancë, atëherë bileta do të jetë e majme për qytetarët.

Në këtë rast, ata që do ta vuanin dyfish koston do të jenë qytetarët nga Kukësi dhe ata të Kosovës, që për të mbërritur në Tiranë e Durrës do t’u duhet të paguajnë në dy trarë të vendosur nga privati në mes të rrugës.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 


Video