Ftesat për Kongresin e Roterdamit zbulojnë se PPE nuk njeh Berishën

26 May 2022, 17:55Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Ftesat për Kongresin e Roterdamit zbulojnë se PPE nuk njeh

“Ju e dini se qysh prej fillimit, Partia Popullore Europian ka mbajtur një qëndrim neutral, por ne do të kemi përfaqësinë tonë atje”.

Kështu iu përgjigj Sali Berisha pyetjes së gazetarëve këtë të enjte nëse kishte marrë ftesë nga partitë e djathta europiane për kongresin e 31 majit dhe 1 qershorit në Roterdam. Pra, Berisha pranoi se si kryetar i Partisë Demokratike nuk ka marrë ftesë, ndërsa në lidhje me përfaqësinë tha një gjysmë të vërtetë.

Tre ftesa kanë mbërritur në selinë e PD-së për këtë kongres, ku dy rastisin të jenë mbështetës të Berishës dhe një mbështetëse e Bashës. Ftesa janë dërguar për Jorida Tabakun, Belind Këlliçin dhe Albana Vokshin.

Të tre nuk janë ftuar në Kongres si mbështetës të njërit apo tjetrit kah në luftën e brendshme që ka shpërthyer në PD prej shtatorit të vitit të kaluar, por prej funksioneve që mbanin para se Berisha të organizonte dy Kuvendet.

Jorida Tabaku është ftuar si nënkryetare e PD-së me fokus marrëdhëniet me jashtë të PD-së. Pra, për të djathtët europianë, Tabaku është ende nënkryetare e kësaj partie, pavarësisht se Berisha e ka shkarkuar që në Kuvendin e 11 dhjetorit, së bashku me Bashën dhe tre nënkryetarët e tjerë.

As Belind Këlliçi dhe as Albana Vokshi nuk shkojnë në këtë Kongres si mbështetës të Sali Berishës. I pari shkon si kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, megjithëse po kalon moshën 35 vjeç dhe me mandat të përfunduar që prej 2019-s.

Albana Vokshi shkon nga ana tjetër si kryetare e Lidhjes Demokratike të Gruas, edhe kjo me mandat të përfunduar prej kohësh.

Kjo është e vërteta e ftesave, pavarësisht se në Tiranë Sali Berisha mund të përpiqet që t’i interpretojë këto dy pjesëmarrje si legjitimim i lëvizjes së tij brenda PD-së në sytë e të djathtës europiane.

Kongresi i PPE do të ketë disa vendimmarrje të rëndësishme, përfshirë këtu zgjedhjen e Presidentit të ri të së djathtës europiane. Megjithatë, dy përfaqësuesit e Sali Berishës në këtë Kongres nuk do të kenë të drejt vote për shkak të përfundimit të mandateve përkatëse. E vetmja që mund të votojë do të jetë Jorida Tabaku.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video