Ministri i Drejtesise Ulsi Manja dhe kreu i SPAK Arben Kraja“Po jap kontributin tim modest si koordinator kombëtar i luftës kundër korrupsionit dhe që drejtoj një agjenci të re të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri për proceset e integrimit të vendit dhe të luftës kundër korrupsionit në këtë vend”.
Me këto fjalë, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja lau duart dhe prezantoi ndëshkimin e radhës të njësisë antikorrupsion që ka ngritur pranë Ministrisë së Drejtësisë. ‘Viktima’ e kësaj njësie këtë të mërkurë ishte drejtorja e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, gjithashtu një agjenci nën varësinë e Ulsi Manjës.
Në fjalën e tij, ministri përshkroi se si ishte e kopsitur e gjithë dosja ndaj drejtores së kësaj agjencie, ndërsa më herët në shënjestër të tij ka qenë edhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, gjithashtu nën ‘hyqmin’ e Ministrisë së Drejtësisë.
E thënë më thjeshtë, njësia ‘e tmerrshme’ antikorrupsion e Ulsi Manjës po vepron brenda oborrit të Ministrisë së Drejtësisë. Pa paragjykuar denoncimet e kësaj njësie pranë prokurorive të zakonshme e të posaçme, ajo që bie në sy është që ato lidhen me zyrtarë vendorë pa peshë në vendimmarrje.
Nga Kadastra te Trajtimi i Pronave, me përjashtim të ish-pronarëve që kanë qenë në proces kompensimi, pak kush tjetër ka qenë në dijeni të Agjencisë Kombëtare të Trajtimit të Pronave. Gjithsesi, Manja shpjegoi se si kjo agjenci kishte bërë namin duke tjetërsuar pronat, vonuar e zvarritur kompensimet për pronarët, madje edhe në vlera qesharake.
Por, edhe këtë herë gjuetia brenda oborrit të Ministrisë së Drejtësisë, më shumë se luftë kundër korrupsioni është demagogji e propagandë, pavarësisht përpjekjet se ministrit të Drejtësisë për ta shitur njësinë antikorrupsion që drejton si ‘tmerrin e të korruptuarve’.
Aksionet janë të ngjashme me ato të njoftuara më herët nga Manja, që me drejtuesit e burgjeve, kur tha se të burgosurit i kishin çuar madje edhe mesazhe në telefon, e deri te gjendja civile, kur kapi ‘gafil’ çiftëzuesit e rremë për letra.
E gjithë ‘buja’ e sforcuar e këtyre aksioneve duket se i shërben ministrit të Drejtësisë që të heqë nga supet e veta përgjegjësinë që ka nga shkeljet e vartësve të vet, të cilëve këtë të martë as që guxoi t’u përmende emrin dhe të shtyjë në kohë llogaridhënien dhe dorëheqjen e vet.
Çfarë deklaronte Manja në rastin e aksionit në gjendjen civile?
“Rastet e sotme do t’i nis me zyrtarë të gjendjes civile këtu në Tiranë”, tha Manja duke vijuar më pas me “kriminelët” që kishte kapur njësia e tij antikorrupsion. I pari ishte një punonjës i gjendjes civile që na paska martuar fiktivisht një shqiptare, për më tepër me një të burgosur në Itali.
Përtej veprës penale të dyshuar në këtë rast, ajo që bie në sy janë punët e rëndomta në të cilën harxhon energji, kohë, burime njerëzore e financiare Ministria e Drejtësisë, sikur të gjitha hallet e tjera më të mëdha në këtë vend me padrejtësitë i ka zgjidhur.
Në vend që të marrë rolin e inspektorit të regjistruesit të gjendjes civile, ministri i Drejtësisë ndoshta do të ishte më mirë që të zgjidhte problematikat që kanë dalë me hartën e re gjyqësore, ku ka dhënë gjysmën e kontributit në bërjen e saj.
Ndarja e re po kundërshtohet nga veriu në jug të vendit si e papërshtatshme, që do të rrisë kostot për qytetarët, vonojë drejtësinë për ta dhe që nuk zgjidh problemin madhor të këtyre viteve: stokun e dosjeve në sirtarët e gjykatave.
Para përpjekjes për të futur në burg një falsifikator të rëndomtë të gjendjes civile, nga ata që gojët e liga në vend thonë se i gjen në çdo bashki, ministri i Drejtësisë ndoshta do të ishte më mirë që të përqendrohej të shkeljet e shumta në sistemin e burgjeve, që janë në varësi të drejtpërdrejt të tij.
Skandali i fundit që u raportua nga burgu i Peqinit vetëm një javë më parë mund të ndihmojë në këtë drejtim. Hetimet që kanë nisur në këtë institucion treguan deri më tani dyshimet se si të burgosurit kishin korruptuar policinë e burgjeve për të ngritur brenda një institucioni aktivitete të lojërave të fatit dhe të bixhozit, që ironikisht ndalohen jashtë burgut, por në këtë rast jo brenda tij.
Denoncime të tjera ka plot me të cilat mund të bëhet më e dobishme Ministria e Drejtësisë, duke filluar që nga kadastrat dhe te thembra e Akilit e aferave korruptive në Shqipëri: tenderat. Rasti i fundit në Fondin Shqiptar të Zhvillimit për tenderin e “çfarë të hamë” në 100 fshatrat turistikë mund të jetë një udhëzues i mirë për Ministrinë e Drejtësisë.
Për këtë rast, SPAK ka nisur verifikimet, por të dhënat e Open Data Albania sugjerojnë se janë të paktën edhe 6 tendera të tjerë të këtij fondi me flamur të kuq, pra ku dyshohet se është favorizuar fituesi. Nga këtu mund ta nisë ministri i Drejtësisë për ta bërë vërtet të dobishme njësinë antikorrupsion që ka në varësi, duke na kursyer edhe deklaratat me “çiftime fiktive”.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.