Kryemadhi hodhi tymnajë me evazionin 189 mln dollarë për të sfumuar rritjen e naftës nga oligarkët

15 July 2022, 19:04Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kryemadhi hodhi tymnajë me evazionin 189 mln dollarë për të
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi

Denoncimi i kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi flet për një grup kompanish anonimë që kanë kryer evazion fiskal në një vlerë mbi 189 mln dollarësh.

U takon organeve të drejtësisë që të përcaktojnë vërtetësinë e kësaj shifre, por për efekte të këtij shkrimi ne po e marrim këtë shifër si të mirëqenë. Nisur nga faturat që ka publikuar Kryemadhi, që thotë se janë origjinale, vlera e transaksioneve mes këtyre kompanive është relativisht e ulët.

Kjo do të thotë se për të përligjur shifrën prej 189 mln dollarësh evazioni është shtrirë në një periudhë të gjatë kohore. Në deklaratat e saj, Kryemadhi ka përmendur deri edhe vitin 2016. Pra, skema, sipas kryetares së LSI-së është zbatuar prej 6 vitesh.

Ky afat i gjatë kohor me të drejtë ngre pyetjen; ku ishte Monika Kryemadhi dhe LSI deri më tani? Në 2016 dhe deri në fillim të 2017-s Kryemadhi ka qenë pjesë e qeverisjes, pse nuk e denoncoi që në fillim evazionin e këtyre kompanive?

Po pas 2017-s, kur kaloi në opozitë dhe deri në 2019-n kur dogjën mandatet, a ishte vërtetë e paditur Monika Kryemadhi dhe aktorët e tjerë opozitarë për këtë skemë? Deri në shkurt të 2019-s, statusi deputetes i jepte akses me lehtësi te institucionet shtetërore dhe Kryemadhit. Pse nuk e shfrytëzoi dhe ta denonconte që në këtë periudhë?

Pse nuk e denoncoi Monika Kryemadhi evazionin fiskal galopant, siç e quan nga shtatori e deri më tani? Pse emrat e kompanive janë që të gjitha anonime dhe mes tyre mungojnë kompani të mëdha të oligarkëve të karburantëve, megjithëse është përfolur se edhe ato janë përfshirë në afera madhore evazioni fiskal?

Për më tepër, pse kryetarja e LSI-së del në këtë periudhë të denoncojë këtë skandal, siç e quan ajo, në një kohë që qytetarët kanë lakun në fyt nga çmimet e rritura të karburanteve, të cilave në Shqipëri u është shtuar edhe doza e abuzimit e monopoleve?

Të gjitha këto mund të shpjegohen vetëm me një përgjigje: Monika Kryemadhi është vënë në shërbim të oligarkëve të karburanteve, të cilët jo vetëm që nuk i ka denoncuar kurrë në emër e mbiemër, por as i ka përmendur në akuzat e evazionit fiskal ndërsa ka lënë në periferi të qëndrimit të LSI-së agjendën e çmimeve.

S’mund të ketë arsye tjetër që të shpjegojë këtë qëndrim të Monika Kryemadhit, që ashtu si Berisha në protestën e thirrur kundër rritjes së çmimeve më 7 korrik folën në përgjithësi duke mos përmendur asnjë emër oligarku që po abuzon me krizën që ka mbërthyer vendin.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video