Që Ilir Meta do të rikthehet në politikën aktive pas 24 korrikut, kjo nuk ka asnjë dyshim. Mëdyshja është nëse Presidenti do të rikthehet si kryetar i LSI-së, apo do të themelojë një parti e lëvizje me një emër të ri për të mbuluar mëkatet e LSI-së.
Cilado qoftë rruga që do të zgjedhë Meta, bashkëpunëtorët e tij të ngushtë pak do të ndryshojnë...të paktën sipas asaj që sinjalizon vetë Presidenti.
Meta ka publikuar në rrjetet sociale një foto me zëdhënësin e tij ‘besnik’, Tedi Blushi dhe këshilltarin Edmond Panariti. I pari nuk është provuar si pjesë e LSI-së, por është provuar si njeri besnik i Metës në Presidencë. I dyti është provuar si i tillë në LSI, Qeveri dhe tani edhe në Presidencë.
“Drejt një Agimi të ri”, shkruan Presidenti Meta në foton e publikuar. Fjala “Agim” ka frymëzuar mjaft skenaristë e regjisorë në Hollivud, por edhe politikanë madje edhe në Greqinë fqinje që ngritën fashistët e “Agimit të Artë”.
Është e paqartë nëse Agimi i Metës do të jetë i llojit fantastiko-shkencor hollivudian, apo i artë si në Greqi. Por, e sigurtë është që Presidenti që ka edhe ca ditë në detyrë po përgatitet për një agim të ri dhe po zgjedh bashkëpunëtorët e këtij agimi.
Nëse “agimi” i Metës do të jetë hollivudian pak mundësi ka, por nëse do të jetë i artë si i fashistëve grekë (këtu Meta do të kalonte ylberin dhe nga i majtë, siç të paktën e nisi LSI-në në 2004-n do të shndërrohej në ekstremisht i djathtë) ndoshta do të gjejë tavolinën e oportunistëve shtruar nga Sali Berisha...fundja edhe ky i fundit e ka nisur si i djathtë e përfundoi non grata nga vendi që promovon politikat e së djathtës.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.