Fushata e 6 marsit, inceneratorët dhe fija e kashtës për të mbyturin Lul

20 February 2022, 18:57Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fushata e 6 marsit, inceneratorët dhe fija e kashtës për të
Lulzim Basha dhe Sali Berisha me bashkeshortet

Lulzim Basha dha përshtypjen se nuk i ka të gjitha ditët njësoj në retorikë, kur u shfaq në Sheshin Skënderbej dhe pas një fjalimi ku s’u mor vesh qartë nëse kishte shkuar para, gjatë apo pas shembjes së shtatores së Enver Hoxhës më 20 shkurt të 1991, firmosi një peticion për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare.

Kaq sa për ndryshim. Në mesditë kreu i PD-së iu kthye rutinës. Me pjesën e deputetëve të PD-së në Komisionin e ngritur për inceneratorët, Basha doli e foli sërish të njëjtat gjëra, të njëjta akuza, të njëjtën retorikë, përmendi të njëjtët emra, që sipas tij, i paskan bërë gjëmën buxhetit të shtetit.

Por, pse po investohet kaq shumë Lulzim Basha për inceneratorët, për të cilët drejtësia ka nisur hetimet tashmë? Pse po lë pas dore denoncimin për Portin e Durrësit, që nëse do të merren për të mirëqena shifrat e Bashës për inceneratorët, tingëllon një aferë korruptive dhjetë herë më e madhe?

Janë dy miliardë euro në këtë projekt, ku lidhjet e të paktën katër administratorëve e punonjësve të kompanisë “Symphony Real Estate” të çojnë te kunati i Lulzim Bashës. Bashës ja ka mbyllur gojën kunati për këtë projekt dhe në takimin e prezantimit të Luan Hotit në Durrës për kryetar bashkie e shmangu si temë, ndryshe nga ç’po bën me inceneratorët.

Pse Lulzim Basha në vend që ditën e diel ta shfrytëzojë për të dalë në fushatë dhe në mos të fitojë, të sigurojë të paktën vota të mjaftueshme sa për t’i legjitimuar dinjitetin, bashkë me vulën e logon e partisë më të madhe opozitare që duket se po e mban me zor?

Ka një arsye se pse. Basha po përdor inceneratorët për të tërhequr vëmendjen nga zgjedhjet e 6 marsit, për t’i zhvlerësuar ato i vetëdijshëm se nuk do të arrijë që të fitojë në asnjërën prej tyre, as se do të marrë vota mjaftueshëm për t’u legjitimuar si kryetar i demokratëve.

Ai po përgatit terrenin që më 7 mars të deklarojë e përforcojë atë që deri më tani e ka thënë numri dy i PD-së, Gazmend Bardhi, që zgjedhjet e pjesshme vendore nuk janë një test i Lulzim Bashës, fundja, njeriu me katër humbje radhazi do të shtonte në palmarësin e vet të humbjeve, që ai i quan fitore, edhe trofeun e pestë.

E në 7 mars mund të dëgjohen edhe çudira të tipit që zgjedhjet m’i vodhën, m’i blenë...pikërisht atë që ka thënë gjithmonë dhe t’i shmanget sërish përgjegjësisë. Për momentin, shpëtimin e përgjegjësisë dhe përpjekjeve për zhvlerësimin e rëndësisë që kanë këto zgjedhje për të dhe fatin e tij në krye të PD-së po e gjen te inceneratorët. Çështja është se Komisioni do t’i mbyllë punimet më 25 shkurt, çfarë do të bëjë Basha pas kësaj date? Apo do të kërkojë ndonjë komision tjetër hetimor? Apo do të flasë për oligarkët në parlament dhe më pas të kafshojë gjuhën? Mund të flasë edhe për Toyota-n, por këtë herë duhet që t’u thotë shqiptarëve të vërtetën dhe të gjithë dëshminë e dhënë para prokurorëve belgë.

Megjithatë, ka ca aludime mediatike se edhe vetë prokurorët belgë janë gënjyer nga Basha. Sipas këtyre aludimeve, gjatë dëshmisë së dhënë së fundmi në Tiranë, Basha ka pasur mospërputhje me dëshminë e dhënë në 2019-n.

Përpëlitjen e Bashës që kapet si i mbyturi pas fijes së kashtës janë tamam “kërcen Luli nga belaja”.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

 


Video