E thotë edhe Rama: Prokuroria ‘tregtoi’ dosjet e TVSh-së te opozita

17 September 2022, 19:38Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

E thotë edhe Rama: Prokuroria ‘tregtoi’ dosjet e TVSh-së

Në bashkëbisedimin e gjatë që mbajti këtë të shtunë me qytetarë e gazetarë, Kryeministri Edi Rama konfirmoi atë që përflitet prej kohësh në mjedisin mediatik e publik: tregtinë e dosjeve nga ana e Prokurorisë së Tiranës.

Rama iu referuar mashtrimit me faturat e TVSh-së, për të cilin tha se Prokuroria, jo vetëm që ka qëndruar duarkryq, por ja ka dorëzuar dosjen opozitës.

“Atë skemë e kanë zbuluar Tatimet e Republikës së Shqipërisë dhe ajo skemë është denoncuar në Prokurori dhe për atë skemë Prokuroria nuk ka bërë asgjë për fajtorët dhe atë skemë Prokuroria e ka çuar tek nonë daja, domethënë tek këta, që pastaj me dokumentet e Prokurorisë dalin e bëjnë Prokurorin rrugëve e çorodisin miletin, ky është fakti”, deklaroi ai.

Kryeministri u shpreh se këto çështje janë në kompetenca të prokurorive të përgjithshme, që siç u shpreh nuk duhet të punojnë më për të mbushur statistika me njerëz të thjesht e të pafuqishëm për një gardh, e për një mur.

“Këta që ndërtojnë pa leje për të shitur, këta e blejnë prokurorin, këta e blejnë gjykatësin e përballë këtyre policia dhe qeveria është e pafuqishme. Ky është thelbi dhe të gjitha të tjerat janë poshtërsira të njerëzve...”, tha ai.

Në lidhje me faturat e TVSh-së ka disa denoncime të sforcuara nga ana e Partisë së Lirisë. Mes denoncimeve të bëra së fundmi, një i Brisida Shehajt lidhej me një faturë për blerje domaini me vlerë 245 euro.

Rasti tregon se sa qesharake, por të rrezikshme janë bërë këto denoncime, që gjithnjë e më shumë po zbulojnë vetveten që si qëllim kanë gjobëvënien dhe jo drejtësinë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video