Protesta që varrosi ëndrrën e Ilir Metës për të qenë kryeopozitar

13 September 2022, 19:42Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Protesta që varrosi ëndrrën e Ilir Metës për të
Sali Berisha dhe Ilir Meta

Shënim: Nëse do të flasim me gjuhën dhe termat e Ilir Metës, që thotë se inceneratori i Tiranës është skenë krimi, atëherë vrasësit janë në bulevardin qendror të Tiranës, jo në Sharrë.

Por, në vend që të protestojë në bulevard para Kryeministrisë, Ilir Meta investohet disa kilometra më tutje dhe pyetja që lind vetiu: a është përzgjedhja vendit vërtet simbolike, apo ka arsye tjetër?

Ish-Presidenti, që gjatë të gjithë gushtit deklaronte se si do të shpërthenin protestat kundër qeverisë në shtator, më shumë se simbolike vendndodhjen e protestës duket se e ka pasur taktike.

Pa mbështetjen e hapur të Berishës në këtë protestë (Berisha i çoi në Sharrë dhëndërrin dhe Klevis Balliun), kreu i Partisë së Lirisë i trembej pjesëmarrjes në një protestë të mundshme në bulevard.

Në Sharrë, pjesëmarrja e pakët e qytetarëve mund të justifikohet, edhe me termin ‘protestë simbolike’. Veç kësaj, tubimi i dështuar i Metës mund të jetë edhe kapaku që vulos ëndrrën e tij për të qenë udhëheqësi i opozitës.

Ambicien e ka shfaqur hapur dhe përpjekjet për të joshur demokratët kanë nisur që pas lënies së Presidencës. Si hap i parë në këtë mision ishte pozicionimi i partisë së re të ngritur mbi rrënojat e LSI-së ‘as majtas, as djathtas’.

“Është parti patriotike”, tha Meta, kur u pyet nga gazetarët nëse Partia e Lirisë do të ishte e majtë, apo e djathtë.

Joshja kulmoi me kryerjen e homazheve ditën e martë në vendin ku u vra Azem Hajdari dhe më pas edhe vizita në shtëpinë e familjes së liderit të lëvizjes së dhjetorit.

Si ‘ujk i vjetër’ në politikë Berisha s’mund të mos e kishte nuhatur ambicien e Metës, që bie ndesh me ambicien e tij personale për t’u rikthyer edhe njëherë në pushtet me shpresën se pushteti do t’i heqë njollën me të cilën e kanë damkosur amerikanët.

Për këtë qëllim, në protestën e Metës, Sali Berisha dërgoi dhëndërrin e familjes, Jamarber Malltezi dhe Klevis Balliun, dy figura periferike të Partisë Demokratike. Mesazhi ishte i qartë. Për Berishën Ilir Meta është figurë periferike e opozitës, që s’mund të jetë lider. Çështja është a e mori Ilir Meta këtë mesazh, apo jo?

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video