
Gjatë konferencës për shtyp prej rreth 45 minutash me Edi Ramën, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell lëvdoi rreshtimin e Shqipërisë 100 për qind në krah të BE-së për politikën e jashtme, reagimin e qëndrimin ndaj agresionit rus në Ukrainë, tha se Shqipëria meriton hapjen e negociatave, por në dy momente vendosi në ‘siklet’ Kryeministrin.
Me sinqeritetin që e karakterizon, momenti i parë ishte kur Borrell nisi të flasë për krizën e çmimeve pas luftës në Ukrainë. Këtu tha se fatura e energjisë në banesën e tij në Spanjë (vendlindje) ishte dhjetëfishuar, duke shkuar nga 50 euro në 500 euro dhe se si nafta në Bruksel ishte mbi 2 euro për litër. Por, ai tha gjithashtu se, vendet e varfra janë ato që e vuajnë më shumë krizën e rritjes së çmimeve.
Pasi rreshtoi të gjitha këto, Borrell-it i shpëtoi ‘një fjali’, që nënkupton se për të folur për krizën e çmimeve në konferencën për shtyp ishte një kërkesë që Rama ja kishte bërë më parë. “Adresova këtë meqë më kërkuat të flas për krizën e çmimeve”, tha ai.
Momenti i dytë kur Borrell vendosi sërish në siklet Kryeministrin ishte në fund të konferencës për shtyp. Pasi Rama foli për ‘martesën e pashmangshme’ mes Shqipërisë dhe BE-së, mbylljen e bëri Përfaqësuesi i Lartë i BE-së.
“Ka shumë llojë martesash, por të mos e ndërlikojmë më tej”, tha ai dhe me, apo pa dashje me këtë frazë provon se në Bruksel diskutohet jo pak për mundësinë që në vend të anëtarësimit, Ballkanit Perëndimor, përfshi këtu edhe Shqipëria, t’i ofrohet një formë partneriteti të ngushtë, sipas një propozimi jozyrtar francez të 2019-s.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.