Padia në Gjykatën Kushtetuese është ngritur nga grupi parlamentar i PD-së nën pretendimin se akti normativ që ngriti bordin e çmimeve shkel marrëveshjen e stabilizim-asociimit dhe një ligj të vitit 2006 që ka ratifikuar këtë marrëveshje.
Grupi i deputetëve të PD-së thonë se shkelet neni 71 i këtij ligji, që ka të bëjë me konkurrencën. Ky nen shkelet nga fakti që pjesë e bordit nuk janë të gjitha shoqëritë e tregtimit të karburanteve, por vetëm më të mëdhatë, si Kastrati e Gega, që deputeti socialist Erion Braçe jo pak herë i ka akuzuar se kanë ngritur oligopol në treg.
“E padrejtë është fakti që anëtarëve të bordit, përfaqësues të shoqërive të hidrokarbureve u njihet e drejta të marrin vendime dhe masa disiplinore shumë të rënda ndaj kompanive konkurrente të tyre. Është rast unik në botë që një konkurrent në një sektor të caktuar mund të vendosë për konkurrentin tjetër nëpërmjet një ligji, a akti normativ, që t’i pezullohet licenca, apo edhe t’i hiqet licenca deri edhe në sekuestrim të vendit ku ushtron aktivitetin. Do të mjaftonte ky absurd kushtetues dhe ligjor që çdo gjykatë në një shtet dhe shoqëri demokratike ta deklaronte këtë akt të pavlefshëm e për rrjedhojë të vendosë shfuqizimin e tij”, thuhet në padinë e PD.
Por, çfarë thotë neni 71 i ligjit?
Mënyra se si ka vepruar bordi i çmimeve që prej ngritjes së tij e deri më sot sugjeron se ai mund të ketë cenuar pikën 1 të këtij neni. Kjo pikë konsideron si të papërputhshme me marrëveshjen e stabilizim-asociimit të gjitha aktet e vendimet që:
“(i) të gjitha marrëveshjet ndërmjet sipërmarrjeve, vendimet e marra nga grupe sipërmarrjesh dhe praktikat e koordinuara ndërmjet sipërmarrjeve të cilat kanë si objektiv të tyre ose pasojë, parandalimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës;
(ii) abuzimi me pozicionin dominues, nga një ose më shumë sipërmarrje, në territoret e Komunitetit apo të Shqipërisë si një e tërë ose në një pjesë të konsiderueshme të tyre;
(iii) çdo ndihmë shtetërore e cila shtrembëron ose rrezikon të shtrembërojë konkurrencën duke favorizuar sipërmarrje të caktuara ose prodhime të caktuara”
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.