Berisha bën sikur denoncon "rrugët e florinjta", por ai ul kokën para Kastratit, Ulajt, Salillarit, Gjoka & Co

9 April 2023, 11:37Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Berisha bën sikur denoncon "rrugët e florinjta", por ai ul
Ulaj, Berisha, Salillari dhe Kastrati

Simptoma e vjetër e shmangies së denoncimit të oligarkëve nga ana e Sali Berishës vijon të shfaqet sa herë që ish-Kryeministri denoncon atë që e quan vjedhje të qeverisë.

Berisha po vijon fushatën duke prezantuar kandidatët e regjistruar në KQZ me vulën e Ilir Metës duke cituar tendera dhe vjedhjet me to. Akuzon Ramën e ministra, por në asnjë rast nuk denoncon se kush janë përfituesit e mëdhenj të këtyre vjedhjeve me tendera.

Flet se si në Shqipëri po shtrohet me 24 mln euro kilometri i rrugëve të reja në terrene fushore, në një kohë që në Gjermani kostoja shkon dhjetë herë më pak, sipas tij. Por, në asnjë rast nuk denoncon me emra, se kush po i vjedh këto para.

Janë disa emra, që nga Shefqet Kastrati, Bashkim Ulaj, Salillari e Gjoka, që të gjithë emra të preferuar tenderash e koncesionesh edhe në qeverisjen e tij. Këta janë njerëzit, që kanë rolin kryesor në grabitjen e pronave dhe parave të shqiptarëve.

Ulaj me Gener 2 po nxjerrin në rrugë familje në Bërxullës, por Berisha ka heshtur për këtë fakt. Kastrati ka vënë nën sqetull bordin e naftës, por Berisha denoncon çmimin e lartë në krahasim me rajonin, por harron të denoncojë se këto para përfundojnë në xhepat e oligarkut.

Kastrati po grabit qytetarë të Shqipërisë e të Kosovës me traun e vendosur në Rrugën e Kombit, ku si të mos mjaftojë tarifa prej 5 eurosh, vjedh edhe me kursin e këmbimit nëse zgjedh ta bësh pagesën në lek, duke marrë për çdo biletë 660 lekë. Por, edhe për këtë fakt Berisha hesht.

Gjoka vijon të gllabërojë para me Rrugën e Arbrit e tunelin e Murrizit, që në vend të çajë malin po gris xhepat e taksapaguesve shqiptarë. Por, as këtë Sali Berisha s’e denoncon dot në emër.

Denoncon tenderat e rrugëve, por shmang përmendjen në emër të Salillarit e Gjokës, dy dinozaurve të tenderave e koncesioneve të rrugëve.

Ky është denoncimi gjysmak i Sali Berishës. Por, pyetja është se çfarë ja lidh gjuhën ish-Kryeministrit kur bëhet fjalë për të denoncuar me emra oligarkët? A ka ndonjë pak të fshehtë me ta? Çfarë përfiton nga ky pakt? A po e mbështesin ata financiarisht revolucionin e nisur prej Berishës? A po e mbështesin financiarisht për zgjedhjet e 14 majit, duke qenë se Berisha e kandidatët e tij pa vulë e sigël nuk përfitojnë asnjë mbështetje financiare nga buxheti i shtetit?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve mund të na krijojnë një panoramë më të qartë se përse Sali Berisha hesht kur vjen puna në përmendjen e emrave të oligarkëve.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video