Pak muaj para zgjedhjeve lokale, Bashkia e Elbasanit e drejtuar nga Llatja hapi tenderin për rikonstruksionin e rrugës në lagjen “11 nëntori” në Elbasan. Fondi limit i caktuar nga Bashkia për asfaltin para zgjedhjeve ishte rreth 221 mijë dollarë.
Thirrjes së Bashkisë për tenderin iu përgjigjën tri kompani, konkretisht kompania “BE – IS” SH.P.K, “BAJRAMI N.” Sh.p.k dhe “ERGI” sh.p.k.
Por komisioni i vlerësimit në Bashkinë e kryebashkiakut Llatja ka përjashtuar dy kompanitë e tjera konkurente dhe la të vetme në garë kompaninë Be-SI SHPK me ofertë 216 mijë dollarë.
Për këtë procedurë, bashkia ka marrë flamur të kuq duke sinjalizuar rrezik për abuzim me procedurat. Administratori i kompanisë që fitoi tenderin me ofertë 216 mijë dollarë, u arrestua në operacionin që u vu në pranga edhe ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla.
Ibrahimaj u akuzua nga prokuroria për korrupsion dhe falsifikim. Në 16 mars ai u la në “arrest shtëpie”, ndërkohë vetëm pak ditë më vonë kryebashkiaku i Elbasanit, Gledjan Llatja i miraton tenderin me flamur të kuq.
Por me datë 16 tetor të vitit 2019, kryebashkiaku i Elbasanit ka inspektuar vijimin e punimeve në lagjen “11 Nëntori” ku po kryhej një rikonstruksion total i kësaj lagjeje.
Bëhej fjalë për një investim që konsistonte në shtrimin e kësaj rruge si dhe ndriçimin, për të lehtësuar qarkullimin e mjeteve, por më së shumti të këmbësorëve
Nuk janë mbushur tre vite dhe kjo lagje është kthyer në gjendjen e saj të mëparshme. Kështu, duke qenë se herën e parë nuk i rezultoi mirë, Llatja po i hedhë një tjetër shtresë asfalt kësaj lagjeje, me afrimin e fushates së zgjedhjeve të 14 Majit.
Ndërkohë, nënkryetari i Bashkisë së Elbasanit, Artur Guni, ka hedhur poshtë akuzat e PD në lidhje me rehabilitimin e rrugës “11 Nëntori”.
Përmes një deklarate, Guni i cilëson akuzat si gënjeshtra për qëllime elektorale.
“Disa kanë zgjedhur punën e disa të tjerë llafet! Bashkia e Elbasanit është në krye të detyrës e në respekt të kontratës që ka me qytetarët e saj vazhdon çdo ditë t’u shërbejë atyre. Teksa ne vazhdojmë punën, këto ditë kemi përballë ata që ishin zhdukur për 4 vite dhe tashmë kanë marrë përsipër të fabrikojnë lloj-lloj spekulimesh e akuzash qesharake. Perla e tyre më e fundit ishte fabrikimi i një akuze për gjoja dhënien nga Bashkia e Elbasanit të një procedure konkurruese një biznesmeni të arrestuar dhe se vet procedura paska qenë me flamur të kuq për mungesë konkurrence. I vetmi flamur i kuq në fakt është flamuri që tregon gjendjen e kapitulluar në të cilën kanë përfunduar ata që fabrikojnë spekulime të tilla me synim mashtrimin e opinionit publik për qëllime elektorale”, thekson numri dy I Bashkisë së Elbasanit.
Nënkryetari i Bashkisë thekson se opozita zgjedh me vetëdije të plotë që të mashtrojë qytetarët.
“Agjencia e Shërbimeve Publike, bashkia Elbasan ka publikuar në Sistemin e Prokurimit Elektronik (SPE) në datë 23.02.2023 Procedurën e prokurimit me objekt "Rikonstruksion i rrugëve në lagjen "11 Nëntori" me datë zhvillimi 10.03.2023. Në këtë procedurë kanë marrë pjesë 3 operatorë ekonomik. 1. “BE - IS” SH.P.K; 2. “BAJRAMI N.” Sh.p.k dhe 3. “ERGI” sh.p.k. Ndryshe nga sa pretendojnë fabrikuesit e akuzave, nga tre operatorët pjesëmarrës është skualifikuar vetëm një 1 operator ekonomik “BAJRAMI N.” Sh.p.k, për arsye të parregullsive në ofertë. Janë kualifikuar 2 operator ekonomik “BE - IS” SH.P.K dhe “ERGI” sh.p.k. Pas vlerësimit të ofertave dhe dokumentacionit është deklaruar fituese oferta e subjektit “BE – IS” Sh.p.k. Subjekti në fjalë ka dorëzuar sipas ligjit të gjithë dokumentacionin përfshirë vërtetimet e gjendjes gjyqësore (dëshmi penaliteti)”, sqaron nënkryetari i Bashkisë.
Ai thekson se pavarësisht nevojës se “foltores” së Elbasanit për të patur një kauzë për zgjedhjet pas braktisjes që i kanë bërë qytetarëve për 4 vite, Bashkia e Elbasanit e ka të pamundur të skualifikojë një operator ekonomik jashtë përcaktimeve ligjore. “Për ne ligji është i detyrueshëm, për ata ndoshta është fakultativ”, deklaroi Artur Guni.