
Kongresmenët amerikanë Joe Wilson dhe Robert Aderholt kanë shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e situatës në Shqipëri, duke kërkuar respektimin e shtetit të së drejtës, lirive demokratike dhe të drejtave të protestuesve paqësorë.
Përmes reagimeve të publikuara në rrjetin social X, dy përfaqësuesit e Kongresit të Shteteve të Bashkuara kanë vënë theksin te rëndësia e institucioneve të përgjegjshme, llogaridhënies dhe garantimit të së drejtës së qytetarëve për të shprehur lirisht qëndrimet e tyre.
Joe Wilson theksoi se populli shqiptar meriton liri, sundim të ligjit dhe institucione që mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Ai i bëri thirrje qeverisë shqiptare të përmbahet nga çdo formë dhune ndaj protestuesve, duke nënvizuar gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në përcaktimin e së ardhmes së vendit.
“Rinia meriton një zë në të ardhmen e vendit të saj”, theksoi Wilson në reagimin e tij, duke e cilësuar Shqipërinë si një aleate të NATO-s dhe duke vënë në fokus respektimin e lirive demokratike.
Edhe kongresmeni Robert Aderholt shprehu shqetësimin për situatën në Shqipëri, duke kërkuar që të gjitha palët të refuzojnë dhunën dhe që qeveria të garantojë respektimin e të drejtave të qytetarëve që marrin pjesë në protesta paqësore.
“Populli shqiptar meriton sundimin e ligjit, institucione të përgjegjshme dhe lirinë për të bërë të dëgjohet zëri i tij. Të gjitha palët duhet të refuzojnë dhunën dhe qeveria duhet të respektojë të drejtat e protestuesve paqësorë”, deklaroi Aderholt.
Në reagimin e tij, Aderholt u ndal gjithashtu te roli i të rinjve, duke theksuar se ata duhet të kenë mundësinë të ndikojnë në drejtimin që do të marrë Shqipëria.
Të dy përfaqësuesit kanë përcjellë mesazhin se shmangia e dhunës, mbrojtja e lirive demokratike dhe garantimi i së drejtës së qytetarëve për t'u dëgjuar janë thelbësore për funksionimin e institucioneve demokratike dhe për të ardhmen e Shqipërisë.