Socialisti Petro Koçi ka kritikuar entuziazmin e disa deputetëve të partisë së së tij për imazhet e Klevis Balliut në Lanë. Në një postim në rrjete sociale ai e cilëson këtë qasje të gabuar dhe një boomerang për vetë mazhorancën.
Koçi paralajmëroi se promovimi i zgjidhjeve përmes rrugës dhe turmave, në vend të zgjidhjeve politike, mund të sjellë pasoja të rënda për vendin. Ai bëri thirrje për reforma kushtetuese, garantimin e drejtësisë për të gjithë, ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe luftën kundër korrupsionit.
Sipas tij, nëse zgjidhjet politike bëhen të pamundura, Shqipëria rrezikon të përballet me skenarë edhe më të rëndë se ai i vitit 1997.
“Çlirojeni Kushtetutën nga 21 Prilli berishian i 2008-ës, garantoni veprim të drejtësisë për këdo, pavarësisht nga emri apo hierarkia, ndryshoni sistemin zgjedhor nga ngërçi i pabarazisë së shanseve, rivendosni demokracinë në funksionimin e partisë, shërojeni administratën nga korrupsioni etj.! Nëse zgjidhjet politike bëhen të pamundura, atëherë ’97-a do të duket si ëndërr e bukur”, shkruan Koçi.
Siaps tij deklaratat e SHBA-së synojnë mbrojtjen e vendit nga kaosi dhe ndikimet e huaja, ndërsa u bëri thirrje forcave politike të reflektojnë.
Postimi i plotë i Petro Koçit
Ky entuziazmi i disa deputetëve të PS kur postojnë imazhin e Balliut në Lanë më duket një budallallëk dhe bumerang.
Më kujton ëndrrën e Saliut për ta tërhequr Edi Ramën zvarrë në Lanë.
Emri sigurisht që ka rëndësi.
Dhe Balliu nuk është as Rama e as vetë Saliu.
Por më i rëndësishëm është modeli që promovon.
Po legjitimon “zgjidhje” rruge në raport me zgjidhjet politike.
Zgjidhjet e rrugës dhe turmave nuk ngopen vetëm me kokën e Ramës që kërkojnë aktualisht.
Prania besnike është një ofertë amatoreske dhe jo një reflektim serioz i përgjegjshëm.
Çlirojeni Kushtetutën nga 21 Prilli berishian i 2008-ës, garantoni veprim të drejtësisë për këdo, pavarësisht nga emri apo hierarkia, ndryshoni sistemin zgjedhor nga ngërçi i pabarazisë së shanseve, rivendosni demokracinë në funksionimin e partisë, shërojeni administratën nga korrupsioni etj.!
Nëse zgjidhjet politike bëhen të pamundura, atëherë ’97-a do të duket si ëndërr e bukur.
Turma e tanishme nuk është ajo e viteve ’90.
Situata ndërkombëtare nuk është ajo e ’97-ës.
Europa tashmë është përfshirë nga trazira, halle dhe pikëpyetje të mëdha e nuk e ka ngejen e atij viti.
SHBA nuk foli mbrëmë për të mbështetur një parti apo një individ, por për të mbrojtur Shqipërinë nga kaosi, influencat e huaja hakmarrëse dhe delegjitimimi i procesit politik.
Mos lejoni, duke ndërmarrë reflektim dhe reforma serioze, që turma të kthehet në polici morale mbi ju dhe shumicën qytetare e nesër të urdhërojë mendimin e jo thjesht mënyrën e shprehjes së tij.