"Nuk jam promotore e dhunës", Ilirjana Kuçana akuzon Taulant Ballën për inskenim: Më mbajtën 8 orë në komisariat

17 October 2026, 15:06Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
"Nuk jam promotore e dhunës", Ilirjana Kuçana akuzon
Ilirjana Kuçana gjatë protestës

Ish-kandidatja për deputete e Partisë Demokratike dhe anëtarja e Këshillit Kombëtar të PD-së, Ilirjana Kuçana, ka reaguar pas shoqërimit të saj nga policia gjatë protestës studentore, duke e cilësuar ngjarjen si një inskenim të organizuar nga Taulant Balla.

 Ajo pretendon se është mbajtur për 8 orë në komisariat, ku i është mohuar e drejta për të njoftuar familjen, ndërsa i ka cilësuar si të pavërteta akuzat se ka nxitur dhunë apo ka mbajtur një çantë me granata.

Kuçana paralajmëron se do të vijojë të marrë pjesë në protestat e studentëve.

SQARIM PUBLIK!
Inskenim i pastër i ngritur dhe organizuar dje ndaj meje nga Taulant Balla.
Gjatë protestës studentore, ku isha pranishme si pedagoge dhe qytetare, u rrethova dhe u shoqërova dhunshëm nga dhjetëra policë të maskuar e pa numra identifikimi. Më mbajtën të izoluar për 8 orë në komisariat, duke më mohuar në mënyrë të paligjshme të drejtën elementare për të njoftuar familjen time.
Pretendimet dhe trillimet publike nga Taulant Balla dhe Sokol Balluku i ABC News, se unë kam nxitur dhunë, u kam kërkuar studentëve të linin mësimin, apo se mbaja një çantë me granata në kurriz, janë mashtrime të ulëta. Asgjë nuk u provua në video apo në komisariat, sepse unë jam promotore e dijes, jo e dhunës!
Pse ky inskenim? Sepse unë nuk shitem, nuk jam pjesë e stabilokracisë dhe nuk i braktis dot të rinjtë përballë banditëve të pushtetit. Unë jam e pashantazhueshme! Taulant, ti do të shkosh në qeli, ndërsa unë jam në shtëpi. Duart e mia nuk janë të lyera me gjak, korrupsion apo “call center”-a.
Këto veprime represive tregojnë vetëm panikun e pushtetit përpara ngritjes së qeverisë teknike me mbështetjen e SHBA-ve. Ky sulm vetëm sa më motivon më shumë. Ne jemi të palëkundur dhe asgjë nuk e ndal revolucionin e shqiponjave! Do të jem çdo ditë aty, në vijë të parë!


Video