
Në letrën e gjatë drejtuar Edi Ramës, Elisa Spiropali i kërkon Ramës të mbledhë strukturat e Partisë Socialiste.
Ajo thotë se është koha për ndryshim, ndërsa përmend edhe zgjedhje të reja parlamentare.
“Edhe Partia Socialiste duhet të ketë kurajën të ndryshojë. Me zgjedhje të vërteta brenda saj, me meritë, vetëkorrigjim, përgjegjësi dhe hapjen e rrugës për një brez të ri drejtuesish.
Mblidhi strukturat e PS të marrin vendime. Udhëhiqe procesin e ndryshimeve, mos përforco mitin e pazëvëndueshmërisë. Duhet të kalojmë nga kultura e individit në kulturën e institucionit.
Një parti që nuk di të ndryshojë nga brenda, shpejt detyrohet të ndryshojë nga jashtë. Dhe ndryshimi i imponuar nga rruga është gjithmonë më i dhimbshëm se ndryshimi i menduar në kohë.
Nuk duhen njerëz besnikë ndaj partisë me çdo kusht, por një parti besnike ndaj Shqipërisë.
As rotacioni politik nuk duhet të jetë tabu. As zgjedhjet e reja nuk duhet të shihen si kërcënim, nëse ato bëhen pjesë e një zgjidhjeje demokratike, me garanci për konkurrencë të lirë dhe pjesëmarrje të të gjithëve. Zgjedhjet duhet të jenë një mundësi për të rikthyer besimin, jo një përplasje tjetër që e ndan vendin në kampe armiqësore.
Demokracia nuk është pronë e atij që fiton. Ajo është përgjegjësi e atij që fiton, dhe mbrojtje për atë që humbet.
Nëse zgjedhjet shihen vetëm si mënyrë për të marrë pushtetin, atëherë ato mbeten një lodhje e kotë, një ritual bosh, një arkivol i fitores.
Nëse zgjedhjet shihen si mënyrë për t’i dhënë qytetarit zë, atëherë bëhen themel i shtetit, garanci e zhvillimit.
Duhet të hapen shtigjet demokratike kudo, që të mos mbyllen rrugët nga barrikadat.
Është ora e ndryshimit.
Ndjeje si përgjegjësi madhore”, shkruan Spiropali.