Doktor, dil ti i pari e vrite frikën!

21 October 2026, 11:38Pikëpamje SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Doktor, dil ti i pari e vrite frikën!
Sali Berisha/ Ylli Manjani

Profesor doktor Sali Berisha, titulli shkencor i të cilit vlen më shumë se të gjithë titujt plagjiaturë të sindikatës së pedagogëve të partisë së tij, ka bërë dje thirrje që njerëzit të dalin në shesh për të “vrarë frikën”.

Në parim, nuk kam asgjë kundër kësaj thirrjeje. Çdo opozitë politike këtë punë ka. Të shfrytëzojë pakënaqësinë publike për të fituar mbështetje dhe kapital elektoral. Është krejt legjitime.

Natyrisht, do kishim dashur dhe mbështetur, një opozitë sipas modelit të Le Pen, që dënon dhunën dhe premton rend publik. Por edhe sipas modelit tonë, Lë-peng, hajt më, quhet!

Problemi im me thirrjen e doktorit nuk është e drejta për të protestuar, por logjika e argumentit dhe sinqeriteti i atij që e bën thirrjen.

Së pari, kush tha që njerëzit kanë frikë të dalin në shesh?!

Që nga fundi i majit, sheshi ka parë protesta çdo ditë. Njerëzit kanë dalë, kanë protestuar, tani së fundi edhe janë përplasur me policinë dhe kanë përdorur gjithfarë mjetesh. Pra, nëse ka diçka që është provuar, është pikërisht mungesa e frikës për të protestuar.

Atëherë, çfarë frike kërkon të vrasë doktori sot?!

Së dyti, le ta pranojmë për një çast se frika ekziston. Përse doktori nuk del vetë i pari në shesh për të na ndihmuar edhe ne të tjerëve ta vrasim atë kodosh frike?!

Përse ne duhet të mos kemi frikë, ndërsa doktori ka të drejtë ta ruajë frikën e vet?!

Kjo është pjesa më e pakuptueshme e gjithë narrativës. Sepse nuk mund t’u kërkosh njerëzve të dalin, të përplasen, të rrezikojnë lirinë dhe shëndetin e tyre, ndërsa ti, që kërkon të marrësh pushtetin prej sakrificës së tyre, qëndron larg.

Në politikë ka një rregull të thjeshtë: kush kërkon pushtetin, duhet të marrë mbi vete më shumë përgjegjësi dhe rrezik sesa ata që i kërkon ta mbështesin.

Nuk shkon logjika që “copëtohuni ju, që të fitoj unë”! Jo kaq trashë dreqi e mori! 
Holloje pak tretësirën!

Dil ti i pari, Doktor!

Dil e prij kapuçonëve të Tu që i mbledh e strehon në SHQUP. Dil dhe na trego se e zotëron politikisht atë inkursion zjarri, gurësh mbi policinë, shkatërrimi, plaçkitje dyqanesh dhe dhune publike. Këto e trembin miletin, sa për dijeni dhe jo protesta në vetvete.

Por, ti dil njëherë e na trego se ata që veprojnë në emër të opozitës janë vërtet njerëzit e tu dhe jo grupe që i shërbejnë interesave të tjera.

Na provo, të lutem, se opozita jote e rrugës është më e fortë se taborucët e Arit të lindur të ANTIFA-s apo të Agronit të vezëve. Na trego se ti je më i fortë se taborët e vetdamkosur të Albinit apo nga taborët fundamentalistë që ëndërrojnë deri edhe qeverisje sheriatit. 

Se në fakt, Doktori është në betejë me ata, për vendin që i kanë zënë, jo me Edi Ramën.

Nëse doktori do të na provonte se ka autoritet real mbi gjithë këtë turmë, unë personalisht do të ndihesha më i qetë. Jo sepse dhuna mund të falet apo të justifikohet, por sepse të paktën do të dinim kush e drejton dhe kush mban përgjegjësi politike për të.

Edhe huthit mbajnë përgjegjësi për sulmet që bëjnë!

Padyshim që është më mirë një opozitë politike që merr përgjegjësi për veprimet e veta, sesa një dhunë pa zot, të cilën mund ta përdorë kushdo.

Por që të ndodhë kjo, doktori duhet të dalë vetë në shesh.

Mundësisht të mos i bjerë nga Lana, sepse Klevisi nuk pati përvojë të mirë andej. Por rruga ka pak rëndësi. Rëndësi ka të dalë.

Të dalë, sepse duket se ka harruar si bëhet.

Të dalë edhe për të provuar se vlen politikisht më shumë se pjella e vet politike, së cilës mezi ia rimori partinë që themeloi vetë. Meqë ra fjala, protestat e pjellës së
tij politike, ishin ku e ku më masive. Asgjë të përafërt nuk ka arritur të organizojë doktori deri më sot.

Ndoshta edhe frikën e krahasimit me pjellën politike duhet ta vrasë…!

Por, mbi të gjitha, e mira e do të mos na tregojë narrativa hipokrite me studentë dhe të mitur që po i dhunon shteti dhe jo armatosësi me maska e molotov.

Nuk mund të ndërtosh një logjikë sipas së cilës, kur dikujt i vendos në dorë benzinë, molotov e maskë dhe e nis drejt policisë, e trajton si burrë të gatshëm për betejë; ndërsa kur vjen puna për përgjegjësinë ligjore, e paraqet si fëmijë të pafajshëm.

Sigurisht që të miturit e vërtetë kanë mbrojtje të posaçme ligjore, madje ka edhe gjykata e burgje të posaçme për ta. Por pikërisht për këtë arsye, përgjegjësia më e madhe bie mbi ata që i përfshijnë apo i nxisin në përplasje të dhunshme.

Nuk mund të kërkosh njëkohësisht edhe heroizmin e tyre në rrugë, edhe papërgjegjshmërinë e atyre që i drejtojnë, se kërcet llogjika.

Të paktën doktori të mos na marrë për budallenj!

Nuk do ta kisha besuar po të ma tregonin se Sali Berisha, njeriu që e ka ndërtuar një pjesë të madhe të karrierës politike mbi protestën dhe përplasjen, sot do të thërriste të tjerët të vrisnin frikën, ndërsa vetë do të qëndronte i frikësuar larg sheshit. Por ja që po e shohim vetë këtë degradim politik.

Këtu kthehemi te pyetja fillestare. Kush ka frikë në të vërtetë?!

Njerëzit që dalin përditë në protestë, të cilët e kanë provuar se nuk kanë frikë nga sheshi, apo doktori që po i ngjan gjithnjë e më shumë mizës së kalit që bërtet se po tërheq karrocën?! 

Ajo që mund t’i trembë njerëziz sot është kaosi, mungesa e drejtimit dhe përdorimi i tyre si instrument për ambiciet e dikujt tjetër. Kjo është frikë reale.

Prandaj, doktor, mos u kërko njerëzve të vrasin një frikë që e kanë provuar se nuk e kanë.

Dil vetë i pari. Merr përgjegjësinë për protestën që thërret. Dëno dhunën që nuk e kontrollon dhe mos u fshih politikisht pas atyre që e ushtrojnë. Do fitosh vërtetë më shumë mbështetje duke marrë përgjegjësi dhe dënuar dhunën që s’është e jotja. Do fitoje edhe më shumë po të ndaloje edhe dhunën tënde, por aq fitore as ti vetë se do më… 

Frika nuk vritet duke dërguar të tjerët përpara. Frika vritet duke marrë vetë përgjegjësinë.

Dhe nëse nuk del dot, të paktën mos i konsidero njerëzit se janë ata që kanë frikë!

Dil doktor, mos ki frikë! 
(Se ishe edhe në Amerikë… Por temë tjetër ajo)


Video