
Pas ditës së pestë të protestave të dhunshme në thuajse të gjithe vendin, arrita në bindjen se kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen. Këto fjalë i shkruan e zezë mbi të bardhë që në krye një njeri që mban në xhep teserën e Partisë Socialiste me numër 52 që nga viti 1991, firmosur nga kryetari legjendar Fatos Nano, i dekoruar nga kryetari aktual i partisë Edi Rama me rastin e 35- vjetorit të partisë për “punë shumë të mirë” në shërbim të saj. Këtë punë shumë të mirë po bëj edhe tani që po kërkoj largimin Ramës.
Gjatë 15 viteve të jetës sime kam qenë i zgjedhur katër herë nga kongresi në udhëheqjen kombëtare të partisë, deputet dhe gazetar i saj. Prej 21 vjetësh nuk kam asnjë lidhje me administratën shtetrore. Në qeverisjen 13 – vjeçare të Edi Ramës nuk kam punuar asnjë minutë të vetme. Kam nxjerrë bukën time me anë të kalemit të gazetarit dhe të pensionit. Kjo më jep mundësinë të shprehem plotësisht i lirë prej çdo kompleksi, ashtu siç edhe kam bërë gjatë jetës sime. E bëra këtë jetëshkrim që të tjerët të mos lodhen duke gërmuar në biografinë time.
Në tetor të vitit 2005, kur Partia Socialiste kishte dalë në opozitë, kam botuar te gazeta “Shekulli” shkrimin me titull: “Prishësi i qetësisë”. Ishte një mbështetje publike e hapur për zgjedhjen e Ramës në krye të Partisë Socialiste, pas dorëheqjes së kryetarit Nano me humbjen e zgjedhjeve. Edi Rama, me të cilin nuk kisha asnjë lloj lidhjeje, që sapo kishte filluar fushatën për kryetar partie më telefonoi dhe më falenderoi për shkrimin. Mund ta ribotoj prapë sot atë artikull me vlera historike. Gjatë 21 viteve të tij si kryetar partie kam patur edhe një telefonatë tjetër prej tij dhe kaq. Vetë nuk e kam marrë asnjë herë në telefon. Nuk kam patur nevojë për të. Nuk kam patur as arsye për ta falenderuar.
Gjatë 13 viteve në pushtet e kam mbështetur qeverinë socialiste sa herë kam menduar se ka bërë punë të mira dhe e kam kritikuar sa herë ka bërë punë të këqia. Mendimi im është se gjatë këtyre viteve në Shqipëri janë bërë shumë punë të mira që nuk është as koha as vendi të përmenden se edhe janë thënë. Këto nuk do t’i mohohen kurrë drejtuesit të qeverisë Edi Rama.
Nga ana tjetër na del se janë lënë edhe shumë punë ende pa u bërë nga qeverisja e gjatë e tij dhe, po ashtu, janë bërë edhe punë të këqia. Këtë e kam parë në reagimet e publikut jo vetëm në protestat e tanishme, por edhe në ato të “flamingove” muaj më parë e të tjera. Atëherë dolën në bulevard gati njëqind mijë njerëz kunder qeverisë dhe shumë prej tyre ishin të majtë, edhe socialistë. Mos duhet të presim që të dalin prapë në bulevard njëqind mijë kundër qeverisë? Ata aty janë, dalin edhe prapë.
Nuk është vendi sot të thuhen të gjitha, por vetëm disa cekje të tyre. Pas 35 vitesh demokraci në Shqipëri është krijuar një brez i ri që as e di dhe as nuk do t’ia dijë fare se çfarë ishte komunizmi. Gogoli “komunizëm” nuk egziston për ta. Ata duan ta shikojnë veten të njëllojtë me brezin e ri të vendeve të zhvilluara dhe nuk e gjejnë këtë gjë këtu. Rama pra nuk ua krijoi dot gjatë 13 viteve.
Këtë “Evrope shqiptare” nuk do t’ua krijojë atyre as ndonjë parti apo politikan i ri që do të vijë në pushtet pas Ramës, se nuk është e mundur të bëhet ajo për pak vite. Por te ata tani është ngulitur mendimi se Rama është fajtori i të gjitha “të zezave” dhe askush nuk ua heq dot nga mendja këtë ide, veç ikjes së tij nga karrigia. Duhet të ikë Rama që të qetësohen përkohësisht gjakrat e ndezura të rinisë shqiptare.
Shqipëria ka ende varfëri të skajshme. 500 mijë pensionistë i kanë pensionet nën 200 Euro. Qeveria tallet me ta duke u dhënë çdo fund viti nga pesë mijë lekë dhuratë. Bujqësia dhe fshati shqiptar janë totalisht të braktisur nga qeverisja e Edi Ramës. Fshati shqiptar është kthyer në gjendjen e bujkrobërisë. Rinia fshatare është dyndur në qytete, sepse nuk ka asnjë shpresë për jetesë atje ku ka lindur.
Qeveria Rama mburret se buxheti i vitit të ardhshëm do të arrijë 10 miliard Dollarë, ndërsa për bujqësinë ai do të japë vetëm 50 milonë Dollarë. Çfarë turpi! Të mos habitemi pastaj, kur të na vijnë fshatarët, pra njerëzit tanë e të na djegin në zyrat e pushtetit. Protesat e këtyre ditëve janë mbyllur çdo natë te Zogu i Zi, sepse ata vijne nga “Bathoret” e Tiranës. Janë produkt i braktisjes së fshatit prej qeverisë, kur aty më parë jetonin 60 përqind e popullsisë.
Shkollat tona të larta janë thuajse jashtë tregut të punës dhe ato prodhojnë papunësi me diplomë. Reforma e arsimit të lartë, e trumbetuar me të madhe si sukses vite më parë, ka dështuar. Ata të protestës janë shumica studentë që nuk dinë ku të flejnë, sepse qiratë e shtëpive në Tiranë janë llahtari. Ata e shikojnë pa shpresë të ardhmen e tyre këtu, prandaj kërkojnë “kokën” e Ramës në tepsi. Këto ndodhën nën qeverisjen 13 – vjeçare të Ramës, nuk ka kujt t’ia faturojë tjetër ai atë situatë tani, ta harrojë. Nuk mund të fshihet më pas “gogolit” Berishë.
Korrupsioni mbeti gangrenë e këtij vendi gjatë qeverisjes së Ramës. Shembujt e abuzimeve të mëdha me paratë publike janë evidente. Tani që tenderat zhvillohen në mënyrë elektronike, ato fitohen nga firmat me 70 përqind të vlerës së planifikuar, sepse planifikimi ishte bërë dikur që tenderin ta fitonte lilani e fisteku, jo ai që e meritonte. Kjo tallje me paratë e publikut ka vazhduar prej më shumë se dhjetë vjetësh dhe nami për këtë nuk lahet as për dhjetë vjet të tjera. Më mirë të të dalë syri, sesa të të dalë nami, thotë populli. Kryeministri Rama nuk mund të lahet duke thënë se “unë nuk mbaj përgjegjësi për atë që bëjnë vartësit e mi”. Mban përgjegjësi politike që ç’ke me të.
Në vendet demokratike evropiane ka patur plot politikanë jetëgjatë dhe të suksesshëm, por një ditë janë larguar, duke u hapur rrugën të tjerëve. Nuk është ndonjë tragjedi e madhe të japësh dorëheqjen. Ka ikur kryeministri jetëgjatë spanjoll socialisti Gonzales; ka ikur “gruaja e hekurt” britanike Theçer; ka ikur laburisti i shquar anglez Blejer; ka ikur Helmud Koli qe bashkoi dy Gjermanitë, i sfiduar nga zonja e re Merkel. Ka ikur edhe kjo që qeverisi për 15 vjet; ka ikur së fundmi edhe kryeministri hungarez Orban, i sfiduar nga njeriu i partisë së tij. Nuk kanë ikur vetëm Putini në Rusi dhe Erdogani në Turqi. Shto edhe Edin në Shqipëri. Mos do edhe ky të bëhet si dy të parët?
Qeverisja socialiste e viteve 1997 – 2005 ndërroi gjashtë herë kryeministrin: Fino, Nano 1, Majko, Meta 1, Meta 2, Nano2. Në fund të tetëvjeçarit të qeverisjes rritja ekonomike e vendit ishte 6 përqind. Tani, për trembëdhjetë vjet rresht kemi laj-thaj vetëm një kryeministër, Edin. Edhe babai yt të bëhet derr për trembëdhjetë vjet, jo më dikush tjetër. Apo jo, shoku Edi?
Socialistët e shquar shqiptarë nuk e kanë patur të vështirë të ikin, kur kanë menduar se ishte koha për të ikur, pa pritur që t’i fërshëllenin të tjerët. Ka ikur i nderuar Fatos Nano, kur humbi zgjedhjet. Ka ikur Profesori i shquar Pëllumbi, kur mendoi se ishte mosha për të ikur. Ka ikur madhështori Dritëro Agolli, pa i thënë kush të ikte. Ka ikur punëtori i shquar i partisë Namik Dokle. Ka ikur i paepuri Gramoz Ruçi. Kanë ikur një dyzynë të tjerë njerëz të shquar, të cilët me të drejtë kryetari i Partisë Rama i nderoi me medalje me rastin e 35 – vjetorit të partisë. Pse të mos ikë tani edhe vetë Edi? Le të marrë edhe ai një medalje nga partia për veten e tij dhe të largohet. Ne e kemi një etalon të vjetërsisë së përjetshme në Shqipëri, 82-vjeçarin Berisha, nuk kemi nevojë për tjetër.
Fitorja e zgjedhjeve parlamentare një vit më parë nuk është alibi për të mos bërë zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare. Në vitin 1996 Sali Berisha i “fitoi” zgjedhjet 90 përqind, por pastaj erdhi kriza e piramidave, populli mori armët dhe doli në rrugë. Mos duhet që edhe tani të presim që populli të rrëmbëjë edhe një herë armët si në ‘97-ën?
Protestuesit e sotëm janë njerëzit tanë, janë shqiptarë e gjak shqiptari, të mos kërkojmë në çdo rast “armiq të jashtëm” apo opozitën prapa tyre. Fakti që ata hodhën në Lanë deputetin e Partisë Demoratike tregon se nuk janë me PD-në, janë me veten e tyre. Nuk i ka asnjë borxh kryeqyteti Edi Ramës që të shkatërrohet sot për faj të tij. Nuk i kanë asnjë borxh me dhjetëra policë që të sakatohen për të.
Rama duhet të largohet. Nga posti i qeverisë dhe i partisë. Nuk ka më se çfarë t’i ofrojë këtij vendi dhe populli. Daljet e tij të përditshme para kamerës duke u premtuar qytetarëve ndihmë për shkatërrimet janë mjerane. Të mos presë që turma e protestuesve ta hedhë në Lanë edhe atë vete, siç beri me deputetin e PD-së. Vlen më shumë Shqipëria sesa një emër i përveçëm individi, kushdo qoftë ai. Çdo gjë në këtë botë ka një kohë të ardhjes, një kohë të qëndrimit dhe një kohë të ikjes. Për Ramën ka ardhur kjo e fundit.
Kryeministri Rama ka hyrë në konflikt me rininë shqiptare. Midis të dyja palëve, unë zgjedh rininë. Zoti Rama, çlirojeni Tiranën nga ky burg me gaz lotsjelles të cilin e ke shndërruar ti vetë.