Letra e dorëheqjes që Shqipëria meritonte të lexonte

20 October 2026, 20:53Pikëpamje SHKRUAR NGA OLSI BAKALLI

Letra e dorëheqjes që Shqipëria meritonte të lexonte

Të dashur qytetarë,

Sot po largohem nga detyra e Kryeministrit të Shqipërisë. Jo sepse më mundi opozita, jo sepse më braktisën aleatët dhe as sepse numrat në Kuvend nuk më mjaftojne më. Po largohem sepse, pas gjithë këtyre viteve, duhet të përballem me një të vërtetë që pushteti të mëson ta shmangësh me mjeshtëri. Mund të mbjietosh politikisht për vite duke shitur propagandën si realitet, por vjen një ditë kur asnjë fjalim nuk e mbulon dot faturën e dështimeve. Sepse propaganda mund ta zbukurojë realitetin, por nuk mund ta ndryshojë, dhe kur fjalët mbarojnë, realiteti kërkon llogari.

Kohët e fundit i quajta disa të rinj protestues «ca kalamaj të pashkolluar që s’dinë të lidhin bashkë shate fjalë». Ndoshta mendova se, duke i përqeshur, do t’ua zvogëloja zërin. Por një kryeministër që tallet me një brez duhet të ketë guximin t’i bëjë vetes një pyetje të thjeshtë: nëse këta të rinj janë të pashkolluar, kush ka qenë përgjegjës për shkollimin e tyre? Nëse janë të paformuar, kush duhej të krijonte kushtet për formimin e tyre? Nëse nuk dinë të argumentojnë, çfarë kemi bërë për t’u mësuar të mendojnë, të pyesin dhe të mos pranojnë verbërisht atë që u thuhet?

Nuk mund t’i qeverisësh njerëzit për vite me radhë dhe pastaj të sillesh sikur brezi i ri ka zbritur nga një planet tjetër. Një pjesë e këtij brezi është rritur në kohën e TikTok-ut, videove të shkurtra dhe suksesit të shfaqur në ekran. Por algoritmi nuk është program kombëtar për edukimin qytetar. Nuk mund t’ia lëmë teknologjisë formimin e fëmijëve dhe pastaj të habitemi pse disa prej tyre nuk kanë durimin të dëgjojnë një argument deri në fund. Çfarë alternativash u kemi ofruar?

Kur diploma nuk garanton dije, kur institucionet akademike përballen me akuza për plagjiaturë dhe kur suksesi matet më shumë me atë që zotëron sesa me atë që di, nuk duhet të çuditemi që një pjesë e të rinjve humbet besimin te rruga e ndershme. Gjatë qeverisjes sime, sidomos në vitet e para, ekonomia e kanabisit dhe ndikimi i rrjeteve kriminale ngritën pikëpyetje serioze për modelin e zhvillimit që po ndërtonim. Një pjesë e brezit që sot proteston u rrit në një realitet ku suksesi matet me pasurinë e shpejtë, makinat luksoze dhe paratë e ekonomisë kriminale që unë lejova të lulëzonte, ndërsa predikoja Rilindje, investime dhe zhvillim. Sot përçmoj të rinjtë që ky realitet ndihmoi të formoheshin, sikur modeli i suksesit që ndoqën të kishte lindur pa dijeninë dhe përgjegjësinë e pushtetit tim.

Nuk e kam krijuar unë çdo problem të Shqipërisë. Por pas kaq vitesh në pushtet, nuk mund të pretendoj se nuk kam shumw përgjegjësi për drejtimin që ka marrë shoqëria. Pushteti nuk mund të tolerojë fenomene që deformojnë jetën publike dhe pastaj të pyesë me habi se përse qytetarët nuk besojnë më te puna, ligji dhe meritokracia.

Edhe policia është pasqyrë e brezit që u formua nën qeverisjen time. Nuk mund të kërkoj profesionalizëm dhe vetëpërmbajtje pa pyetur veten se çfarë modeli kam kultivuar. Uniforma nuk është licencë për arrogancë, as pushteti justifikim për dhunë. Kur polici dhe qytetari përballen me gjuhën e forcës, përgjegjësia nuk është e barabartë: shteti ka detyrimin të parandalojë përshkallëzimin. Nëse policia mbron pushtetin dhe jo qytetarin, atëherë dështimi nuk është vetëm individual, por edhe i qeverisjes që e ka lejuar këtë kulturw institucionale.

Protesta lind kur njerëzit ndiejnë se nuk po dëgjohen. Kur vota duket e pamjaftueshme, institucionet nuk frymëzojnë besim dhe çdo kritikë trajtohet si armiqësi, zemërimi mund të radikalizohet. Kjo nuk e justifikon dhunën, por na detyron të pyesim se çfarë e ushqen atë. Një qeveri e përgjegjshme nuk pyet vetëm si ta shuajë protestën, por edhe pse qytetarët kanë arritur të besojnë se askush nuk i dëgjon.

Kam pasur shumicë parlamentare dhe mund ta kem interpretuar atë si një autorizim për të vendosur ritmin, drejtimin dhe kufijtë e debatit. Por votat nuk janë tapi mbi shtetin. Asnjë fitore elektorale nuk e bën kryeministrin pronar të institucioneve dhe parlamentin zyrë noteriale të qeverisë. Tetëdhjetë e dy vota, apo çfarëdo shumice tjetër, nuk janë leje për të mos dëgjuar.

Shteti nuk mund të varet nga humori, ambicia apo prania e një njeriu. Ai duhet të funksionojë përtej kryeministrit të radhës. Kur besnikëria politike merr përparësi ndaj meritës, kur deputetët harrojnë se përfaqësojnë qytetarët dhe kur institucionet nuk ushtrojnë kontroll të efektshwm, ndërtohet një shtet që duket i fortë nga jashtë, por mbetet i brishtë nga brenda.

Reforma në drejtësi nuk mund të jetë vetëm një slogan kur na leverdis. Hetimi nuk është dënim, arrestimi nuk është provë fajësie dhe akuza nuk është vendim gjykate. Por përgjegjësia politike nuk fillon vetëm ditën kur gjykata shpall fajtor dikë. Ajo fillon edhe te emërimet, te njerëzit që zgjedhim të kemi pranë, te standardet që zbatojmë dhe te mënyra si reagojmë kur lindin dyshime serioze për abuzim me pushtetin.

Dorëheqja nuk është zëvendësim për drejtësinë dhe as një mënyrë për t’i ikur përgjegjësisë. Ajo është pranimi se drejtimi politik mund të ketë dështuar edhe kur nuk ekziston ende një vendim penal. Në demokracitë e pjekura, largimi nga detyra mund të jetë akt përgjegjësie, jo domosdoshmërisht rrëfim për një krim.

E di gjithashtu se opozita nuk ka arritur asnjwherw të ndërtojë një alternativë bindëse. Por dobësia e kundërshtarit nuk është licencë për të qeverisur pa llogaridhënie. Një qeveri nuk bëhet e mirë vetëm sepse alternativa e saj është e dobët. Nëse qytetarët nuk shohin zgjedhje të besueshme, institucione që përgjigjen dhe mundësi reale për të ndryshuar drejtimin e vendit, atëherë kriza e ardhshme nuk duhet të na vijë si befasi.

Po largohem duke pranuar se shteti nuk është pronë private, qytetarët nuk janë vartës dhe brezi i ri nuk është armik vetëm sepse nuk flet gjuhën që pëlqen kryeministri. Nuk kërkoj që të më falin dhe as të më besojnë vetëm sepse po shkruaj fjalë të bukura. Kërkoj që të gjykohem për atë që kam bërë, për atë që nuk kam bërë dhe për standardet që kam vendosur gjatë qeverisjes sime.

Qytetarëve u them: mos e ktheni zemërimin në dhunë, por as mos e lini të shuhet në harresë. Mos e shisni votën, mos e dorëzoni përgjegjësinë te një tjetër shpëtimtar dhe mos pranoni që politika t’ju trajtojë si spektatorë të jetës suaj. Kërkoni llogari, mbroni të drejtën për të protestuar dhe ndërtoni një alternativë që ofron njerëz, ide dhe institucione më të mira. Ndryshimi nuk vjen vetëm duke larguar një kryeministër; vjen kur askush nuk mund të sillet më sikur shteti i përket atij.

Dhe nëse një ditë më shihni në podcastin tim, duke shpjeguar se si edhe kjo dorëheqje ishte pjesë e një strategjie të madhe që askush nuk e kuptoi, të paktën mos harroni pyetjen që më detyroi të shkruaj këtë letër: kur pushteti tallet me brezin që vetë ka ndihmuar të formohet, kush duhet të japë llogari?

Kryeministri në largim! (Hashtag.al)


Video