Dashnor Sula thirrje protestuesve për dialog: Le ta dëgjojmë njëri-tjetrin!

21 October 2026, 12:03Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Dashnor Sula thirrje protestuesve për dialog: Le ta dëgjojmë
Dashnor Sula

Kreu i Inspektoratit të Përgjithshëm, Dashnor Sula ka reaguar sot në lidhje me protestën e studentëve.  

Në një shkrim në rrjetet sociale, Sula shprehet se pas 20 vitesh angazhim aktiv në politikë, e vlerëson maksimalisht reagimin qytetar ndaj padrejtësive, megjithatë, ai thekson se dhuna duhet të ndalet dhe protestuesit duhet të ulen në dialog me kryeministrin Edi Rama. 

Në përgjigje të kritikëve që i kujtojnë se dikur e kishte kundërshtar Ramën, e tani qëndron në krah të tij, ai thotë se koha do të jetë gjykatësi i tij më i mirë.  

Reagimi i plotë:   

Si qytetar, si prind dhe si një nëpunës i shtetit, i kam ndjekur me shqetësim dhe keqardhje ngjarjet e këtyre tetë ditëve të protestës në Shqipëri.  

Pas 20 vitesh angazhim aktiv në politikë, e vlerësoj maksimalisht reagimin qytetar ndaj padrejtësive. Sado e mirë të jetë një qeverisje, gjithmonë mund të ketë arsye për të reaguar ndaj pushtetit. Për këtë arsye, e kam mbështetur dhe do të vazhdoj ta mirëkuptoj reagimin qytetar sa herë që ai buron nga pakënaqësi të drejta dhe kërkesa legjitime.  

Protesta paqësore është një e drejtë kushtetuese dhe një instrument thelbësor i demokracisë. Qytetarët kanë të drejtë ta përdorin atë sa herë që mendojnë se qeveria nuk po përmbush detyrimet e saj ndaj tyre.  

Por, në të njëjtën kohë, secili prej nesh duhet të udhëhiqet nga një parim themelor: një padrejtësi nuk mund të ndëshkohet me një padrejtësi edhe më të madhe.  

Të rinjtë që dalin në protestë duhet të kenë garancinë se do të kthehen shëndoshë e mirë në shtëpitë e tyre. Njësoj si protestuesit, edhe punonjësit e Policisë së Shtetit kanë familje që i presin dhe të drejtën për t'u kthyer pranë tyre në fund të ditës.  

Prandaj, kjo është një thirrje që më buron nga thellësia e shpirtit për të gjithë ata që janë në shesh: të shmangin dhunën, të mos lejojnë që zemërimi të marrë përmasa të pakontrollueshme dhe të mos e zëvendësojnë fuqinë e argumentit me akte brutale. Argumentet e qytetarëve kanë shumë më tepër peshë dhe zë sesa dhuna.  

Është një e vërtetë e njohur se mund të duhen vite për të ndërtuar diçka, por mjaftojnë pak sekonda për ta shkatërruar atë. Pavarësisht përmasave të dëmit material, aktet e dhunës na kthejnë pas dhe dëmtojnë jo vetëm pronën publike e private, por edhe klimën e bashkëjetesës shoqërore.  

Pamjet e Tiranës gjatë këtyre tetë ditëve më kanë rikthyer në kujtesë imazhet e periudhës së pandemisë COVID-19, kur rrugët e qytetit ishin bosh dhe jeta publike ishte paralizuar. Besoj se askush prej nesh nuk dëshiron të shohë sërish një realitet të tillë.  

E di se shumë prej atyre që do ta lexojnë këtë reagim mund të më kritikojnë. Mund të më kujtojnë kohën kur, katër vite më parë, isha në Parlament dhe protestoja kundër së njëjtës qeveri që sot kundërshtohet nga qytetarët, ndërsa tani, në detyrën time si nëpunës i shtetit, bëj thirrje për maturi dhe konstruktivitet.  

Në fakt, ky është pikërisht një nga motivet që më shtyn të reagoj.  

Po, është e vërtetë se katër vite më parë kam protestuar edhe i vetëm në Parlament kundër problematikave të qeverisjes. Kam ngritur shqetësime dhe kam denoncuar çështje konkrete, për të cilat vazhdoj të mbaj të njëjtin qëndrim.  

Por, në një moment kur kontributi im politik nuk kishte më peshën që meritonte, kryeministri i vendit, kundërshtari im i dikurshëm politik, vlerësoi kredibilitetin tim dhe, duke vendosur interesin publik përpara ndasive politike, më besoi drejtimin e Inspektoratit të Përgjithshëm. 

E kam pranuar këtë sfidë me bindjen se shteti ndërtohet duke kontribuar aty ku mund të jesh i dobishëm, pavarësisht bindjeve apo përkatësive të mëparshme politike.  

Gjatë këtyre shtatë muajve, i jam përkushtuar tërësisht detyrës sime, me synimin për të vendosur një tullë më shumë në ndërtimin e një shteti funksional, të drejtë dhe në shërbim të qytetarëve.  

Gjatë kësaj periudhe, mesazhi që kam marrë nga Kryeministri i Shqipërisë ka qenë i qartë: të bëj gjithçka që e konsideroj të drejtë dhe në përputhje me ligjin.  

Në fillim, kam pasur pikëpyetjet e mia nëse ky qëndrim lidhej me faktin se vija nga kampi politik kundërshtar. Por muajt kanë kaluar dhe qëndrimi nuk ka ndryshuar. Ajo që është shtuar ka qenë përcjellja e shqetësimeve, ankesave dhe kërkesave të qytetarëve, me pritshmërinë që ato të trajtohen dhe zgjidhen në përputhje me ligjet e Republikës së Shqipërisë.  

Jam i vetëdijshëm se ky qëndrim mund të më ekspozojë ndaj kritikave, por besoj se koha do të jetë gjykatësi më i mirë i vendimeve dhe qëndrimeve të mia, si për ato që kam thënë për ish-kampin tim politik, ashtu edhe për ato që kam denoncuar lidhur me qeverisjen aktuale.  

Duke u kthyer te situata që po kalon vendi, dua të theksoj se të rinjtë, studentët dhe nxënësit mund të kenë të drejtë në shumë prej pakënaqësive dhe shqetësimeve të tyre. Zëri i tyre duhet dëgjuar, kërkesat e tyre duhet marrë seriozisht dhe institucionet kanë detyrimin të reagojnë me përgjegjësi.  

Por padrejtësitë që ata denoncojnë nuk mund të zgjidhen përmes shkatërrimit, dhunës dhe lëndimit të njerëzve. Dhuna nuk e forcon një kauzë të drejtë; përkundrazi, rrezikon ta zbehë atë dhe ta largojë vëmendjen nga problemet reale që kërkojnë zgjidhje.  

Edhe në konfliktet më të rënda ndërkombëtare, dialogu mbetet një domosdoshmëri për të gjetur rrugëdalje. Kjo vlen edhe më shumë për ne, që ndajmë të njëjtin vend, të njëjtat qytete dhe të ardhmen e përbashkët.  

Shqipëria ka nevojë për më shumë përgjegjësi, më shumë dëgjim të qytetarëve dhe më pak përplasje. Ka nevojë që institucionet të reflektojnë, që protestuesit të shprehin lirshëm dhe paqësisht pakënaqësitë e tyre dhe që askush të mos e shohë dhunën si rrugëzgjidhje.  

Maturia dhe dialogu nuk janë shenjë dobësie. Janë shenjë përgjegjësie ndaj vendit dhe qytetarëve.  

Le të dëgjojmë njëri-tjetrin, të respektojmë të drejtën për të protestuar dhe të mos lejojmë që zemërimi i sotëm të shkatërrojë atë që na duhet të ndërtojmë së bashku nesër.  

Sepse, në fund të fundit, përtej bindjeve politike dhe ndasive të momentit, Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët. 


Video