Si po e frenon rritjen e çmimit të naftës para zgjedhjeve Viktor Orban

12 February 2022, 17:09Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Si po e frenon rritjen e çmimit të naftës para zgjedhjeve

Hungaria do të zgjasë kufizimin e tavanit të rritjes së çmimeve të karburantit edhe për tre muaj të tjerë, tha të shtunën kryeministri Viktor Orban, si masë e fundit kundër inflacionit të shpallur nga qeveria e tij përpara zgjedhjeve të 3 prillit.

Për herë të parë që kur mori pushtetin në zgjedhjet e 2010-s, Orban dhe partia e tij nacionaliste, Fidesz do të përballen me një front të bashkuar të partive opozitare në qendrat e votimit.

Pak minuta përpara se Orban të fillonte fjalimin e tij vjetor për gjendjen e kombit të shtunën, udhëheqësi i opozitës Peter Marki-Zay tha në Facebook se aleanca gjashtëpartiake e opozitës kishte mbledhur nënshkrime të mjaftueshme për të paraqitur kandidatë në të 106 zonat elektorale.

Duke u përballur me një rritje të çmimeve, e cila mund ta shtyjë inflacionin në nivelin më të lartë që nga viti 2008, qeveria e Orban vendosi frenimin e kostos së ushqimeve bazë në muajin shkurt, duke zgjeruar kufijtë e vendosur tashmë në çmimin e energjisë, karburantit dhe huamarrjes hipotekore.

“Masa e vendosur ka funksionuar, prandaj ne po e zgjasim atë edhe për tre muaj të tjerë”, tha Orban.

Kjo do të thotë se një rregull që kufizon çmimet e karburantit me pakicë deri në 1,53 dollarë për litër maksimumi, i cili duhej të skadonte javën e ardhshme, do të mbetet në fuqi deri më 15 maj.

Pavarësisht kontrolleve të çmimeve, çmimet hungareze të konsumit u rritën me ritmin e tyre më të shpejtë në pothuajse 15 vjet në janar dhe inflacioni bazë u rrit, duke i bërë analistët të rrisin parashikimet dhe duke sinjalizuar nevojën për më shumë rritje të normave të interesit.

Orban ka vendosur gjithashtu një kufi në normat e interesit të hipotekave me pakicë deri në fund të qershorit për të mbrojtur huamarrësit nga rritja e kostove të kësteve pasi inflacioni në rritje e shtyu bankën qendrore të rriste normat e interesit më shumë se sa pritej më parë.

Partia Fidesz e Orbanit udhëheq sipas sondazheve me 2 për qind para koalicionit opozitar të së majtës.

 


Video