
Rishikimi i buxhetit 2023, me një akt normativ që hyri në fuqi në muajin tetor uli planin e të ardhurave për dy muajt e fundit të vitit nëntor, dhjetor 2023. Sipas të dhënave krahasuese nga Ministria e Financave plani i të ardhurave tatimore për dy muajt e fundit të vitit është rishikuar me ulje rreth 4,3 miliardë lekë ose rreth 40 milionë euro.
Për muajin nëntor ishin parashikuar të arkëtohen 54,3 miliardë lekë të ardhura tatimore, teksa me rishikimin, plani ra në 52,5 miliardë lekë. Gjithashtu për muajin dhjetor plani i të ardhurave u rishikua me ulje nga 55 miliardë lekë në 52,4 miliardë lekë.
Rishikimi me ulje në dy muajt e fundit u bë edhe për shkak të dobësive nga arkëtimet e TVSH nga dogana. Ulja e çmimeve të mallrave në tregun ndërkombëtar kanë ulur të ardhurat nga TVSH në doganë në 10-mujorin 2023 me rreth 6% në krahasim me të njëjtën periudhe të vitit 2022. Të ardhurat nga TVSH në import, për 10 mujorin, rezultojnë 120.8 miliardë lekë, 8 miliardë lekë ose 6.2% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, si dhe 452 milionë ose 0.4% më pak se plani për 10 mujorin 2023.
Të ardhurat totale, për 10-mujorin e vitit 2023, u realizuan në masën 530.6 miliardë Lekë ose 99.6% të planit të së njëjtës periudhë. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat janë rritur me 54.49 miliardë lekë ose 11.4% më shumë.
Ngarkesa më e ulët fiskale për këtë vit ishte në muajin shkurt, ndërsa muaji me ngarkesën më të lartë është dhjetori.
Shpërndarja mujore e planit të të ardhurave ndjek ciklin vjetor të ekonomisë. Në muajt e parë të vitit, sidomos në tremujorin e parë, plani i të ardhurave buxhetore synon arkëtime më të ulëta për shkak të konsumit të dobët që zakonisht është në këtë periudhë.
Me ngrohjen e motit dhe nisjen e sezonit turistik në fund të pranverës, aktiviteti ekonomik zhvillohet me një intensitet më të madh sidomos në sektorin e shërbimeve. Konsumi dhe punësimi përmirësohen dhe për rrjedhoje të ardhurat e planifikuara pas muajit qershor vijnë e rritën.
Ngarkesa fiskale vjen e intensifikohet sidomos në tre muajt e fundit të vitit, për të kulmuar në muajin dhjetor si rrjedhojë e ndikimit që kanë në konsum festat e fundit të vitit.