Kolapsi që shoqëroi shërbimet e Kadastrës pas datës 1 korrik, kur të gjitha sportelet fizike të agjencisë u mbyllën dhe shërbimet kaluan online rëndoi si xhepat e qytetarëve, ashtu edhe ekonominë në tërësi.
Për qytetarët, kostot e shërbimeve të Kadastrës u rritën, madje pati raste e denoncime ku shumë prej tyre u detyruan që të njëjtën faturë për të njëjtin shërbim ta paguajnë nga dy ose më shumë herë për shkak të djegies së afateve të marrjes së shërbimit.
Por, kjo siç duket ka qenë ana e dukshme e dëmit financiar që shkaktoi ky kolaps. Ana më pak e dukshme e këtij dëmi është për ekonominë në tërësi dhe këtë dëm e nxjerr tërthorazi Banka e Shqipërisë në raportin periodik të kreditimit për qytetarët dhe bizneset.
Banka e Shqipërisë thotë se në tërësi bankat e nivelit të dytë lehtësuan kushtet dhe termat e përgjithshëm për kreditë akorduar individëve në tremujorin e tretë të vitit. Kushtet çmim u lehtësuan nga marzhet më të ulëta mbi kreditë normale. Kushtet joçmim u lehtësuan nëpërmjet kërkesave më të ulëta për kolateral, si edhe shtimit të madhësisë së kredisë.
Megjithatë, shifrat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se pavarësisht këtyre lehtësimeve, kredia e individëve për banesa pësoi rënie në tremujorin e tretë të këtij viti, që përkon me periudhën korrik-shtator, ose me tre muajt e parë që shërbimet e Kadastrës kaluan tërësisht online.
Banka raporton një rënie me 2 për qind të kredisë hipotekare. Për lëshimin e kësaj kredie bankat kërkojnë si garanci pronën që synohet të blihet nga qytetarët ose bizneset, ose një pronë tjetër me vlerë të barabartë, ose më të lartë se shuma e kredisë që kërkohet.
Mes dokumentacioneve që kërkojnë bankat janë edhe kartelat e pronësisë që lëshohen nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Por, kolapsi që pasoi këto shërbime pasi kaluan online penguan individët që të plotësonin kriteret e bankave.
As Banka e Shqipërisë dhe as institucionet e tjera financiare për momentin nuk kanë një analizë të kostos financiare në ekonomi prej kolapsit të Kadastrës. Ajo që është e sigurt se efektet në këtë rast janë zinxhir, duke nisur nga qytetarët, te ndërtuesit, të punësuarit në ndërtim dhe ekonominë në tërësi.
***
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.