Qeveria do të mbulojë humbjet e koncesionit të Aeroportit të Vlorës

17 June 2022, 17:38Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Qeveria do të mbulojë humbjet e koncesionit të Aeroportit të

Qeveria shqiptare ka garantuar për 10 vite mungesën e trafikut në Aeroportin e Vlorës. Garancia nis nga dita kur aeroporti nis operimin.

Kjo do të thotë se nëse kompanitë që kanë marrë këtë koncesion nuk arrijnë fitimet minimale nga ofrimi i shërbimeve aeroportuale të parashikuara në kontratë, Qeveria do të kompensojë diferencën vit pas viti deri në vitin e dhjetë të kontratës.

Garancia është dhënë duke shfrytëzuar parashikimet e një ligjit të 2005-s, që ka të bëjë me ndihmën shtetërore. Ligji thotë se qeveria mund të mbështesë financiarisht kompani private që vlerësohen me rëndësi strategjike dhe Aeroporti i Vlorës është përfshirë te objektet me rëndësi strategjike.

Vendimi është marrë më datë 25 maj, por në faqen zyrtare të Kryeministrisë nuk është publikuar. Ai është bërë publik këtë të premte në Fletoren Zyrtare.

Koncesioni është dhënë për tre kompanitë “Mabco Constructions” të Behgjet Pacollit, turken “Yda Insaat Sanayi ve Ticaret” dhe “2 A Group”.

“Në rastin kur të ardhurat bruto vjetore janë më pak se të ardhurat minimale, Autoriteti Kontraktues do t’i paguajë Koncesionarit diferencën midis të ardhurave bruto vjetore të llogaritura nga vlerësuesi sipas nenit 11.3 dhe të ardhurave minimale (“Garancia e të ardhurave”)””, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Vendimi nuk përcakton një kuotë buxhetore kufi për garancinë financiare ndaj koncesionarit, duke argumentuar se kjo do të llogaritet vit pas viti, pra, në varësi të ecurisë së veprimtarisë ekonomike të subjektit, plani i ndihmës mund të aktivizojë burime shtetërore.


Video