Qeveria ul pragun e vetëdeklarimit për të dypunësuarit, detyrim edhe për përfituesit nga qiraja

15 June 2022, 17:47Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Qeveria ul pragun e vetëdeklarimit për të dypunësuarit,
Projektligji prek të paktën 15 mijë vetë

Numri i të dypunësuarve që do të jenë të detyruar që në fund të vitit të plotësojnë të ardhurat pranë tatimeve do të rritet me rreth 15 mijë vetë, sipas një propozimi të bërë nga Ministria e Financave.

Ministria ka gati një projektligj që ul kufirin dysheme të detyrimit të deklarimit të të ardhurave të të dypunësuarve. Aktualisht, me ligjin në fuqi detyrimin për të plotësuar deklaratën e të ardhurave vjetore e kanë të dypunësuarit që kanë të ardhura në total mbi 166 mijë lek. Me ndryshimin e propozuar kërkohet që ky kufi të ulët në 125 mijë lek.

Sipas të dhënave të tatimeve në vend janë rreth 60-70 mijë persona të dypunësuar. Ndërkohë, detyrimin e plotësimit të deklaratës tatimore propozohet që ta kenë edhe personat që kanë të ardhura shtesë nga qiraja, interesat bankare, kontratat e shërbimeve, apo transaksionet me pronat e patundshme, por me një vlerë mbi 50 mijë lek në vit.

Për këtë kategori, tatimet do të verifikojnë nëse janë paguar të gjitha detyrimet dhe nëse jo, atëherë do t’i mbajnë ato në fund të vitit, ose fillimin e vitit pasaardhës.

Projektligji është në fazë konsultimi, ndërsa propozohet që ai të hyjë në fuqi duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm.


Video