Inflacioni më i lartë në 4 dekada, në SHBA kriza ka ‘fajtor’ rritjen e konsumit

15 June 2022, 20:34Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Inflacioni më i lartë në 4 dekada, në SHBA kriza ka

Federal Reserve rriti normën e interesit me 0.75 pikë përqindjeje për herë të parë në tre dekada dhe sinjalizoi një ritëm agresiv të shtrëngimit monetar në muajt e ardhshëm, ndërsa rriti përpjekjet për të zbutur inflacionin më të lartë të SHBA në 40 vjet.

Në fund të takimit të tij dyditor të politikave, Komiteti Federal i Tregut të Hapur të mërkurën ngriti normën bazë të interesit në 1.75 për qind.

Vendimi shënon një kthesë të papritur nga planet e parashikuara më parë të FED-it për një rritje të dytë radhazi të normës prej 0.50 pikë përqindjeje. Esther George, presidente e degës së bankës qendrore në Kansas City, ishte e vetmja kundërshtare dhe në vend të kësaj mbështeti respektimin e udhëzimeve të mëparshme të FED.

Rritja vjen pasi dy raporte alarmante të publikuara të premten treguan një rritje të papritur të madhe të çmimeve të konsumit në maj dhe një rritje shqetësuese të pritshme të inflacionit, duke sugjeruar se amerikanët po shqetësohen më shumë për perspektivën ekonomike.

Por, ndryshe nga vendet e tjera të Perëndimit, ku çmimit janë rritur për shkak të mungesës së furnizimeve dhe problemeve me zinxhirin e furnizimit të shkaktuara nga pandemia dhe lufta në Ukrainë, në SHBA inflacioni ka arsye kryesore rritjen e konsumit.

Sipas të dhënave, amerikanët kanë nisur të shpenzojnë me shumë falë superpaketave mbështetëse ekonomike që vuri në dispozicion administrata Biden për të përballuar pasojat e ekonomisë. Gjithashtu, inflacioni nxitet edhe nga rritja e eksporteve të SHBA drejt BE-së, kryesisht gaz dhe karburante.


Video