
Çmimi i naftës bruto në tregjet e huaja ka zbritur në nivelin më të ulët që prej janarit të këtij viti. Për herë të parë që prej nisjes së agresionit rus në Ukrainë kur çmimi në tregjet e huaja vetëm regjistroi rritje duke shkuar deri afër nivelit 130 dollar fuçia, sot çmimi i naftës bruto në bursën ndërkombëtare është 88 dollarë.
Por pavarësisht kësaj rënie, një fuçi kushton rreth 16 dollarë më shumë se në 8 shtator të vitit 2021, kohë kur fuçia e naftës ishte 72.60 dollarë. Ndërsa në vendin tonë aktualisht qytetarët një litër naftë e blejnë për 232 lekë, që është çmimi i fundit i caktuar nga Bordi i Transparencës për Monitorimin e Karburanteve më 2 shtator.
Por kjo rënie e çmimit të naftës bruto, nuk pritet të reflektohet me të njëjtin intensitet tek çmimi i naftës që blejnë qytetarët në pikat e karburantit, pasi Ministria e Financave ka sqaruar më herët se ata marrin si referencë për çmimet e reja, luhatjet në bursën Platts të Mesdheut për gazoilin,benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatoreve.
Bordi është akuzuar që prej ngritjes së tij se nuk po bën transparencë me çmimet, pasi në përbërje të tij janë vetë kompanitë e hidrokarbureve.