
Qeveria po mendon që të subvencionojë gjysmën e vlerës së instalimit të paneleve diellore për ngrohjen e ujit për familjarët.
Qëllimi i Qeverisë është kursimi i energjisë elektrike. Megjithatë, edhe pse ideja duket bujare, efekti në buxhetin e shtetit dhe rrjedhimisht edhe në qëllimin e vënë, pra për kursim mund të jetë minimal.
Aktualisht një panel diellor për ngrohjen e ujit, që në gjuhën popullore njihen si ‘bolierë’ kushton nga 100 deri në 120 mijë lek. Kjo do të thotë se në rast të një vendimi për të subvencionuar gjysmën e kësaj vlere, qeveria do të paguajë për një familje 50 deri në 60 mijë lek.
Por, projekti has në një pengesë të madhe teknike. Pjesa dërrmuese e familjeve që shfrytëzojnë energjinë elektrike për ngrohjen e ujit jetojnë në zonat urbane nëpër apartamente, ndërsa në zonat periferike të qyteteve dhe zonat rurale, pjesa dërrmuese i kanë instaluar këto panele.
Pyetja që ngrihet është si do të zbatohet projekti i Qeverisë në zonat urbane? Do të vendosen depozita dhe panelet diellore të tyre në tarracat e pallateve, në një kohë që pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019-të ka një vendim për heqjen e tyre, si burim rreziku shtesë në raste të tilla.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.