
Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kredibilitetit “Moddy’s” rikonfirmon vlerësimin e ekonomisë shqiptare në “B1, ndërsa rishikon me ulje parashikimin për rritjen së PBB-së për 2022 dhe 2023, përkatësisht 3.4% dhe 3.6%, nga 4.5% dhe 4.0% që e kishte më parë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë Agjencia vlerëson se rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë ishte e fortë, me bazë të gjerë pasi gjatë goditjeve të tërmetit dhe pandemisë u ruajt stabiliteti makroekonomik.
Kontraktimi i PBB në 2020 (gjatë pandemisë) ishte më i zbutur dhe rimarrja gjatë 2021 ishte më e fortë se sa pritshmëritë fillestare të agjencisë. Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) u rrit me 8.5% në 2021, duke tejkaluar tashmë nivelin e PBB para tërmetit dhe pandemisë.
Ndërsa rritja e fortë e PBB parashikohej të vazhdonte në 2022 dhe 2023 duke u mbështetur nga një rimëkëmbje e mëtejshme në sektorin e turizmit dhe kërkesa e brendshme e qëndrueshme, agjencia ka rishikuar në ulje parashikimin e saj të rritjes së PBB në përkatësisht 3.4% dhe 3.6%, (nga 4.5% dhe 4.0% që e kishte më parë), për shkak të ndikimit ekonomik negativ, kryesisht indirekt, të konfliktit ushtarak Rusi-Ukrainë dhe sanksionet ndërkombëtare të vendosura ndaj Rusisë. Çmimet/kostot më të larta të energjisë dhe inputeve të tjera bazë krijojnë presione të qenësishme inflacioniste që reflektohen në një kërkesë të brendshme më të dobët, si dhe reduktojnë rritjen ekonomike të vendeve të origjinës së turizmit në Shqipëri.
Ndërkohë agjencia vlerëson se borxhi publik, pasi u rrit në nivelin 74.5 % të PBB në vitin 2020 për shkak të goditjeve të pandemisë dhe tërmetit, filloi të bjerë serish në vitin 2021 në nivelin 73.2%. Agjencia parashikon se kjo trajektore rënëse e borxhit publik do vijojë edhe me tej dhe parashikon një nivel prej 72.6% dhe 72.3% respektivisht për vitet 2022 dhe 2023.