
300 punonjës të Administratës Publike do të përfitojnë kredi me 0% interes për blerjen e një banese.
Lajmi i miratuar në mbledhjen e djeshe të Qeverisë, u bë i ditur nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, nëpërmjet një postimi në rrjete sociale. Vëmendje të veçantë në këtë proces do të kenë arsimtarët, mjekët, infermierët, policët, ushtarakët, garda, veterinerët, artistët, etj.
Përfituesit do të përzgjidhen në bazë të një sistemi pikëzimi dhe kuota, shprehet Gonxhja, do të jetë e përvitshme falë financimit nga Buxheti i Shtetit.
“Kredi me 0% interes për blerjen e një banese, për 300 punonjës të Administratës Publike! Një hap pozitiv për mbështetjen e profesionistëve të Administratës Publike, nëpërmjet një programi të veçantë që ofron kredi me 0% interes për blerjen e banesave, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së punonjësve, duke u siguruar atyre mundësinë për të jetuar në kushte më të mira dhe më të sigurta, pa u shpenzuar për interesat e kredisë! Përfituesit do të përzgjidhen në bazë të sistemit të pikëzimit dhe vëmendje të veçantë në këtë proces do të kenë: arsimtarët, mjekët, infermierët, policët, ushtarakët, garda, veterinerët, artistët, etj. Këto kuota do të jenë të përvitshme, falë financimit nga Buxheti i Shtetit, miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë me propozimin e MEKI - Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit! Së shpejti, aplikimi në e-albania.al”, tha Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.
Sipas këtij vendimi 300 kuotat e kredive ndahen si më poshtë vijon:
a) 90 (nëntëdhjetë) për Ministrinë e Brendshme;
b) 90 (nëntëdhjetë) për Ministrinë e Mbrojtjes;
c) 30 (tridhjetë) për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
ç) 30 (tridhjetë) për Ministrinë e Arsimit dhe Sportit;
d) 45 (dyzet e pesë) për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
dh) 15 (pesëmbëdhjetë) për Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
“Përfituesit sipas shkronjave “b”, “c”, “d” dhe “dh”, të pikës 1, të këtij vendimi, përzgjidhen në bazë kritereve të parashikuara në sistemin e pikëzimit të përcaktuar në tabelën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Përfituesit sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, përzgjidhen në bazë të kritereve të parashikuara në sistemin e pikëzimit të përcaktuar në tabelën 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Përfituesit sipas shkronjës “ç”, të pikës 1, të këtij vendimi, janë punonjësit arsimorë në institucionet publike të arsimit parauniversitar, si pjesë e administratës publike, dhe përzgjidhen në bazë kritereve të parashikuara në sistemin e pikëzimit të përcaktuar në tabelën 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Në rast se rezultojnë më shumë kandidatë me pikë të barabarta sesa kuotat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, dhe tabelat bashkëlidhur, përzgjedhja e tyre realizohet sipas sistemit të pikëzimit të përcaktuar nga institucioni përfitues, për të realizuar numrin e kuotave të përcaktuara.
Punonjësit e administratës publike të përzgjedhur përfitojnë kredi të lehtësuar me interes 0 (zero) %. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Financave dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare””, thuhet në vendim.