Ekonomia ruse do të tkurret me 11 për qind, por Moska parashikon përshtatjen e biznesit brenda dy viteve

18 April 2022, 18:02Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Ekonomia ruse do të tkurret me 11 për qind, por Moska parashikon

Rusia paralajmëroi të hënën një ulje të mundshme të mëtejshme të normave të interesit dhe më shumë shpenzime buxhetore për të ndihmuar ekonominë të përshtatet me sanksionet e forta perëndimore, ndërsa ekonomia po shkon drejt tkurrjes së saj më të thellë që nga viti 1994.

Rusia ka regjistruar rritjen e inflacionit dhe largimin e kapitalit, ndërsa po përballet me një mospagim të mundshëm të borxhit pasi Perëndimi vendosi sanksione të paprecedenta për të ndëshkuar presidentin Vladimir Putin për luftën e nisur në Ukrainë më 24 shkurt.

Putin tha të hënën se Rusia duhet të përdorë buxhetin e saj të shtetit për të mbështetur ekonominë dhe likuiditetin kur aktiviteti kreditues është zbehur. Banka Botërore pret që ekonomia ruse të tkurret me më shumë se 11 për qind këtë vit.

Banka qendrore e dyfishoi normën bazë të interesit duke e çuar në 20 për qind më 28 shkurt kur goditi vala e parë e sanksioneve, përpara se ta zvogëlojë atë në 17 për qind më 8 prill. Pritet ta ulë atë më tej në mbledhjen e ardhshme të bordit më 29 prill. .

“Duhet të kemi mundësinë të ulim më shpejt normën bazë”, tha të hënën guvernatorja e Bankës Qendrore, Elvira Nabiullina. “Duhet të krijojmë kushte për të rritur disponueshmërinë e kredisë për ekonominë.

Megjithëse inflacioni në Rusi është përshpejtuar në nivelin më të lartë që nga fillimi i vitit 2002, banka qendrore ruse thotë se "nuk do të përpiqet ta ulë atë me asnjë mjet|, pasi sipas saj kjo do të pengonte biznesin që të përshtatej me sanksionet.

Rritja aktuale e inflacionit është shkaktuar nga oferta e ulët, jo kërkesa e lartë dhe banka qendrore synon ta sjellë atë në objektivin e saj prej 4 për qind në 2024, ndërsa ekonomia përshtatet me sanksionet perëndimore, tha ajo, duke folur në dhomën e ulët të parlamentit.

"Periudha kur ekonomia mund të jetojë me rezerva është e fundme dhe tashmë në tremujorin e dytë dhe të tretë ne do të hyjmë në një periudhë transformimi strukturor dhe kërkimi për modele të reja biznesi", tha Nabiullina.

Ajo tha gjithashtu se Moska planifikon të ndërmarrë veprime ligjore për bllokimin e arit, valutës dhe aseteve që u përkasin banorëve rusë, ndërsa shtoi se një hap i tillë do të duhej të mendohej me kujdes.

Sanksionet e huaja kanë ngrirë rreth 300 miliardë dollarë nga afërsisht 640 miliardë dollarë që Rusia kishte në rezervat e saj të arit dhe valutës kur nisi atë që ajo e quan "operacioni special ushtarak" në Ukrainë.

Putin, duke folur me Nabiullina dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë përmes një lidhjeje video, bëri thirrje për një përshpejtim të procesit të kalimit në monedhat kombëtare në tregtinë e jashtme për të shkëputur varësinë me dollarin dhe euron.


Video