
Greva e minatorëve të Trepçës e cila zgjati mbi 10 ditë është ndërprerë mbrëmë pas mesnatës pas një marrëveshje që është arritur. Grevistët kanë dalë nga miniera sot në ora 02:00 e mëngjesit. Pagat e minatorëve në Trepçë sillen nga 700 deri në 900 euro.
Pas 10 ditësh rezistencë, minatorët e Trepçës e kanë përfunduar grevën e tyre.
Fillimisht minatorët në Artanë dhe Kishnicë kishin ndërprerë grevën, e sot edhe ata në “Stan Tërg”.
Se ka përfunduar greva ka treguar edhe anëtarja e Komisionit për Ekonomi, Mimoza Kusari-Lila.
“Greva është ndërprerë në orët e para të mëngjesit të sotëm. Të gjithë grevistët kanë dalë nga miniera sot në ora 02:00 e mëngjesit”.
Grevistët për 10 ditë kanë qëndruar në minierë, duke kërkuar që kërkesat e tyre të plotësohen.
Minatorët që ishin në grevë kanë kërkuar përmirësim të kushteve të punës, paga të rregullta, sigurime shëndetësore dhe largimin e kryeshefit të ndërmarrjes.
Për gjatë këtyre ditëve, shumë grevistë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.
Pagat e minatorëve në Trepçë sillen nga 700 deri në 900 euro, varësisht përvojës dhe përgatitjes profesionale.
Kompleksi metalurgjik Trepça është shoqëri aksionare: 80 për qind e aksioneve janë të Qeverisë se Kosovës, 20 për qind janë të punonjësve të kësaj ndërmarrjeje.
Deri në vitet ’90 kur është përkeqësuar situata politike, ajo është llogaritur si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në territorin e Jugosllavisë së atëhershme. Nga minierat e Trepçës atë kohë janë nxjerrë rreth 600 mijë tonë xehe në vit.
Me rreth 20.000 punëtorë, është cilësuar si shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës dhe ish-Jugosllavisë. Sot i ka rreth 700 minatorë.
Minatorët e kombinatit metalurgjik Trepça, sot punojnë në kushte të rrezikshme për punë. Krahas shumë problemeve dhe mungesës së sigurisë, makineritë e vjetra mbi 50 vjet janë shqetësim i madh. Produktet kryesore, të cilat i prodhon Trepça janë: koncentrati i plumbit dhe zinkut me përmbajtje të argjendit, arit dhe elementeve tjera.
Deri në periudhën para vitit 1990, nga minierat e Trepçës janë nxjerrë rreth 600 mijë tonë xehe në vit.
Rënia e prodhimit ka nisur në vitet ’90 kur regjimi i atëhershëm i Serbisë ka vendosur masa të dhunshme në Kosovë, duke mbyllur gati të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet në vend. Por, Trepçën e kanë përcjellë probleme edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë, më 1999.