Fundi i vitit si gjithmonë kthehet në një arenë debati për projektbuxhetin e vitit pasardhës, paketën fiskale dhe të gjitha detyrimet që lindin për të. Nga eksperiencat e kaluara ka ndodhur thuajse gjithmonë që grupet e interesit të kenë një projekt në dorë ku të reflektojnë ndryshimet e tyre, por asgjë të mos merret në konsideratë. Edhe këtë vit pritet të ndodhë e njëjta gjë.
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një tur nëpër të gjithë Shqipërinë për ta prezantuar atë. Çfarë dhe kujt do ja prezantojë? Rritjen e pagave, uljen e borxhit publik, rritjen e investimeve? Këto do të jenë pikat në të cilat do të mbahet populizmi i prezantimit të tij, pasi specialistët e fushës dhe nëse do të jenë prezentë do të jenë spektatorë dhe jo këshillues?
Por çfarë të bie në sy tek projekti i vitit 2024? Ok, specialistët nëpër studio televizive apo në analizat e shkruara do të kapin një anë të tij, atë që ju intreson më shumë apo atë që serviret në mënyrë të dukshme në projekt.
Ka një kapitull të tërë ky projektbuxhet ku flet për strategjinë afatgjatë të mbrojtjes sociale, arsimit përfshirë dhe atë profesional.
Le të ndalemi tek ky i fundit. Në projektbuxhet flitet për një strategji Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive 2023 – 2030, i cili thuhet se është dokumenti kryesor i politikës në fushën e punësimit dhe zhvillimin e aftësive në vend me objektiv kryesor në fushën e AFP-së, “Rritja e nivelit të aftësive të grave dhe burrave në moshë pune”.
Po cilat janë objektivat strategjike të kësaj periudhe dhe a parashikohet ndonjë zë në buxhet për vitin 2024?
Zhvillimi i ofertës së Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP) më relevant, fleksibël, qeverisur bazuar në fakte e që garanton vijueshmëri;
Forcimi i mekanizmave të garantimit dhe zhvillimit të cilësisë në sistemin e AFP-së;
Përfshirja në mënyrë sistemike dhe të vijueshme e sektorit privat në qeverisjen, zhvillimin dhe ofrimin e AFP-së;
Nxitja e mundësive gjithëpërfshirëse për të nxënit gjatë gjithë jetës;
Njohja e të nxënit të mëparshëm joformal dhe informal;
Transformimi digjital dhe i gjelbër i sistemit të AFP-së.
Këto janë pikat kryesore të strategjisë afatgjatë dhe në relacion thuhet se ky arsim ofrohet në 30 ofrues të arsimit profesional. Këto institucione ofrojnë 26 drejtime mësimore, 87 profile profesionale dhe në total numri i nxënësve në arsimin profesional per vitin 2022- 2023 është 15 141 nxënës nga të cilët 2,344 janë vajza. Por gjithashtu thuhet se trendi i rregjistrimeve vijon të jetë konstant në vitet e fundit dhe mes rreshtash pranohet se numri i nxënësve që përfundojnë klasat e 9-ta nga viti në vit vjen në ulje. Por argumenti që numri i te regjistruarve në këtë arsim është konstant në aspektin absolut shënon rritje.
Kë të shënjuar dhe një prioritet në përiudhën afatmesme që ka të bëjë më shumë me fjalë se me zë në buxhet. Flasim këtu për periudhën 2024-2026 ku thuhet modernizim i infrastrukturës së ofruesve publik të AFP-së, në përputhje me parimet e ekonomisë së gjelbër dhe transformimit digjital, apo konsolidim i kontekstit ligjor dhe institucional për një model të alokimit dhe disbursimit të buxhetit për ofruesit publikë të AFP-së, e të tjera pika të përgjithshme si këto.
Ajo çfarë synohet të arrihet në këtë periudhë sipas projektbuxhetit janë:
Rritja e aksesit në Arsimin e Mesëm Profesional duke synuar që në vitin 2026 të tërhiqen 20% e nxënësve që ndjekin ciklin e Arsimit e Mesëm, nga 17.7% që parashikohet të arrijë në fund të vitit 2023;
Rritjen e përqindjes të të punësuarve pas diplomimit në shkollat e mesme profesionale në 58% të totalit që mbarojnë studimet në vitin 2026, krahasuar me 47.5% në vitin 2023;
Rritjen e numrit të nxënësve që vijnë nga zonat rurale të cilët ndjekin studimet në shkollat e mesme profesionale, nga 43% e totalit në vitin 2023 në 46% e totalit në vitin 2026;
Rritjen e numrit të nxënësve me romë dhe egjiptian që ndjekin studimet në shkollat e mesme profesionale nga 670 nxënës në vitin 2023 në 800 nxënës në vitin 2026.
Por a është e mjaftueshme kjo? A e bëjnë fjalët Arsimin Profesional, apo nje strategji orientuese dhe financuese më shumë në mënyrë që të rinjtë të shkojnë drejt arsimit profesional. Kur vendi ynë afron më shumë shërbime sekondare nevoja dhe detyra e arsimit është më shumë financim në këtë sektor në mënyrë që të ketë më shumë profesionistë shërbimi se sa juristë kamarierë.
***
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.