Interesat e borxhit, shpenzimet do të rriten 18 përqind në 2024. Dyfishim i huamarrjes ne tregun e brendshëm

2 November 2023, 12:25Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Interesat e borxhit, shpenzimet do të rriten 18 përqind në 2024.

Qeveria shqiptare parashikon në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, një rritje me 18% të shpenzime për interesa të borxhit. Shpenzimet për interesa parashikohen në vlerën 66.2 miliardë lekë ose 2.8% të PBB, duke përfshirë në këtë shumë dhe kontigjencën për rreziqet e borxhit. Në terma realë, shpenzimet për interesa do të rriten me 0.3 pikë përqindje ndaj PBB-së krahasuar me buxhetin e vitit 2023 (mbështetur në rishikimin e aktit të fundit normativ).

Shpenzimet për interesa të borxhit të brendshëm parashikohen në vlerën e 34.5 miliardë lekëve, në rritje me 16.9% krahasuar me shifrat e pritshme të vitit 2023.

Ndërsa shpenzimet për interesa të borxhit të brendshëm parashikohen të arrinë në 26.4 miliardë lekë, në rritje me 22.1% krahasuar me vitin 2023.

Ministria e Financave ka parashikuar për vitin e ardhshëm një fond kontigjence prej 5.3 miliardë lekësh për të mbuluar rreziqet e lidhura me rritjen e shpenzimeve të shërbimit të borxhit. Edhe fondi i kontigjencës do të jetë në rritje, me 8.2% krahasuar me shifrat e parashikuara në buxhetin e vitit 2023.

Në relacionit e projektbuxhetit, qeveria shprehet se, duke marrë në konsideratë deklaratat dhe vendimet e fundit të Rezervës Federale dhe BQE, këto institucione mund të vijojnë ndjekjen e politikave monetare shtrënguese edhe për të paktën vitin 2023 dhe kjo mund të vijojë edhe në fillimin e vitit 2024. Si rrjedhojë, mund të pritet një rritje e mëtejshme e normave të interesit në tregun e huaj.

Po kështu do të dyfishohet dhe huamarrja e qeverisë në tregun e brendshëm

Sipas projektbuxhetit të vitit 2024, vlera e përgjithshme e huamarrjes së re e parashikuar për t’u financuar në tregun e brendshëm është 50 miliardë lekë, nga 25 miliardë të planifikuara për vitin 2023, mbështetur në aktin e fundit normativ.

Në pjesën më të madhe, ndryshimi i ndjeshëm në vlerën e huamarrjes së brendshme është i lidhur me Eurobondet. Këtë vit, Shqipëria realizoi dje emetimin e Eurobondit të gjashtë në historinë e saj, për një shumë totale prej 600 milionë eurosh.

Kjo shumë po përdoret për të financuar një pjesë të deficiti të parashikuar buxhetor për vitin 2023 dhe pjesërisht për të ulur borxhin e jashtëm, nëpërmjet shlyerjes para afatit të një pjese të Eurobondit që maturohet në vitin 2025.

Për vitin 2024, Qeveria nuk ka planifikuar emetime të reja të Eurobondit dhe pjesa më e madhe e deficitit të planifikuar buxhetor do të financohet nëpërmjet emetimit të instrumenteve të borxhit në tregun e brendshëm financiar.

Sipas relacionit të projektbuxhetit, huamarrja e re në tregun e brendshëm pritet të realizohet kryesisht nëpërmjet titujve shtetërorë afatgjatë në përputhje me objektivat për reduktimin e risqeve, por gjithashtu duke iu përshtatur edhe preferencave të investitorëve për titujt.

 


Video