Behgjet Pacolli ishte sot për shtatë orë në SPAK. Ndërsa doli nga ambientet e godinës, ai nuk dha shpjegime për gazetarët, ndërsa pak më momente më pas, ka bërë një sqarim të shkurtër në rrjetet sociale.
Me anë të një statusi në Facebook pas daljes nga SPAK, Pacolli deklaroi se aty ai paraqiti “në mënyrë të detajuar faktet, dokumentet dhe rrethanat e asaj që ka ndodhur dhe po ndodh me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës”.
“Sot pata mundësinë të paraqitesha për rreth 7 orë para Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku paraqita në mënyrë të detajuar faktet, dokumentet dhe rrethanat e asaj që ka ndodhur dhe po ndodh me Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. E vlerësoj këtë mundësi dhe jam i kënaqur që mundëm të sjellim përpara organit kompetent të vërtetën e plotë mbi ndërhyrjet e paligjshme në strukturën e pronësisë, shpërfilljen e vendimeve gjyqësore dhe cenimin e pronës private”, shkruan Pacolli.
“Nuk e kam humbur shpresën se në Shqipëri po bëhet drejtësi. Besoj se institucionet e drejtësisë do të veprojnë në mënyrë të pavarur dhe do të garantojnë respektimin e ligjit. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë plotësisht me SPAK dhe me çdo institucion kompetent, deri në sqarimin e plotë të së vërtetës dhe mbrojtjen e të drejtave tona ligjore. Askush nuk është mbi ligjin. Prona private dhe vendimet e gjykatave duhet të respektohen”, shtoi Pacolli.