Nga nëntë pyetjet e gazetarit Erion Habilaj (VOX News), drejtuar ambasadorit ukrainas, Volodymyr Shukrov, pyetja e shtatë ishte më e sikletshme. E tillë ishte edhe përgjigja e ambasadorit ...
Pyetja e shtatë, Zoti ambasador: “... Shqiptarët, për shkak të vendimeve të Fuqive të Mëdha, janë të ndarë në disa shtete, sa jemi i vetmi shtet që kufirin tokësor e kemi të përbërë nga bashkëatdhetarët tanë. Shqipëria ka një shqetësim që lidhet me Kosovën. Ukraina është një ndër shtetet që nuk e ka njohur pavarësinë e saj... A mendoni se ka ardhur momenti që të keni një qasje tjetër dhe të njihni Kosovën si një shtet i pavarur, siç është në fakt?”
Volodymyr Shukrov: “Çështja e njohjes së Kosovës është ngritur vazhdimisht... Ukraina po monitoron me vëmendje situatën në Ballkan, veçanërisht në rajonin e Ballkanit perëndimor. Ne, i jemi mirënjohës Kosovës për solidaritetin dhe mbështetjen ndaj Ukrainës në luftën kundër agresionit rus. Tani është e rëndësishme për ne të dalim nga zjarri i luftës. Për njohjen e pavarësisë së Kosovës, mund të flitet në një fazë të mëvonshme!!!”
...
Intervistën në fjalë, unë nuk e ndoqa, si i thonë “live”, por e mora nga gazeta DITA e datës 6 Korrik 2022. Për këtë arsye, nuk pata mundësi, që përveç fjalëve, të shihja edhe “gjuhën e trupit” të ambasadorit ukrainas në vendin tonë. Megjithatë, po jap nja dy konsiderata për domethënien e fjalëve të tij për pyetjen në fjalë:
-“Ukraina po monitoron situatën në Ballkan. . .” – thotë ambasadori.
Ngjarjet në Ballkan, dhe që lidhen me Kosovën, nisën në vitin 1999. Nga ajo kohë, kanë kaluar plot 23 vjet. Për 23 vjet rresht shteti i Ukrainës, vijoka me “monitorim””, pa arritur të përcaktojë pozicionin e tij në relacion me Ballkanin? Plot 13 vjet u mbushën dhe kaluan, nga dita kur Kosova është shpallur Republikë, të cilën e kanë njohur dhjetëra e dhjetëra shtete, shumica e të cilave ato të Europës perëndimore, ku Ukraina kërkon të strehohet. Ndërsa kjo e fundit, vijon të “monitorojë” . . . A nuk duket pak si qesharake?!!!
-“Ne i jemi mirënjohës Kosovës, për solidaritetin dhe mbështetjen ndaj Ukrainës në luftën kundër agresionit rus. Tani është e rëndësishme për ne të dalim nga zjarri i luftës...”!, -vijon më tej miku ambasador.
Faleminderit mik që vlerëson mbështetjen e Kosovës, por kjo mbështetje kërkon reciprocitet miqsh. Dhe miku me mikun, nuk përdor vetëm “shatin” (për të marrë miradinat), por edhe “lopatën”(për t’i dhënë miradina edhe mikut). Vërtet jeni në zjarrin e luftës, por presidenti juaj Zhelinski, jep nga dhjetë deklarata në ditë. Jepeni edhe një deklaratë tre minutëshe për Kosovën, se asnjë dëm nuk do të ketë lufta juaj kundër pushtuesit rus. Përkundrazi.
-“Për njohjen e pavarësisë së Kosovës, mund të flitet në një fazë të mëvonshme!!!.”, -përfundon përgjigjen e pyetjes së shtatë, ambasadori Volodymyr Shukrov.
Kjo përgjigje e fundit ia vë “vulën” qëndrimeve me dy standarte të shtetarëve ukrainas për pavarësinë. Për pavarësinë e shtetit të tyre, ata janë gati të hidhen, dhe janë hedhur me të drejtë, në luftë kundër pushtuesit rus. Madje kërkojnë ndihmën e gjithë perëndimit, përfshi dhe Kosovën e vogël në Ballkanin perëndimor. Ndërsa kur vjen punë për shtetet e tjera, për republikat e tjera, si në rastin e Republikës së Kosovës, e cila ka vuajtur dyfishin e Ukrainës në kohë dhe në gjenocid të pashembullt, ambasadori i Ukrainës 40 e ca milionëshe, e kalon fatin e dy milion shqiptarëve me frazën: “Për njohjen e pavarësisë së Kosovës, mund të flitet në një fazë të mëvonshme . . . “
Pra, jo vetëm “në një fazë të mëvonshme”, por i shton edhe fjalën “mundet”, së cilës, po ti shtohet në krye një “s”, shoqëruar me një apostrof, bëhet “s”mundet”!!!
Konkluzioni:
Shtetarët ukrainas, pretendojnë se po mbrojnë demokracinë dhe pavarësinë në Ukrainë, por realisht aty nuk ka asnjë gram demokraci dhe asnjë gram pavarësi. Zhelinski ukrainas dhe Putini rus, nuk janë gjë tjetër, përveçse nacionalistë të sëmurë, të cilët, si pjesë e imperializmit botëror, duan ta fusin Europën dhe Botën në një kasaphanë të re, harxhet e së cilës i paguajnë popujt.
Shtetet në fjalë, jo vetëm aplikojnë sistemin borgjez, ku demokracia është fasadë, ashtu si në gjithë shtetet e tjera kapitaliste e imperialiste, por për më tepër, Ukraina dhe Rusia, vijnë nga e njëjta Perandori, e cila jo njëherë ka qenë pjesëmarrëse e “Fuqive të Mëdha” në copëtimin e trojeve shqiptare.