
Ardit Kuka*
E enjte. Ditë me diell. Data 17 Shtator 2026. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Seancë plenare. Diskutohet projektligji i depozituar nga dy deputetë nismëtarë për ndryshimin e ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, që prek pagën e magjistratëve. Debati në thelb ka të bëjë me zbatimin e Vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 15/2026 për moscënueshmërinë e pagës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nuk mjaftoi dita, votimi u krye gjatë mbrëmjes, siç kryhen punët e natës. Ligji hyri në fuqi menjëherë, që do të thotë se Presidenti ka dhënë pëlqimin për veprimin me efekt të menjëhershëm të një ligji që miratohet me shumicë të cilësuar.
Megjithë detyrimin që kam për të respektuar etikën e magjistratit, që do të përpiqem ta ruaj në maksimum në këto pak rreshta, më ndjeni nëse ka ndopak tepri, sepse kjo nuk mund ta përmbaj pezmatimin, që shkaktohet kur nuk respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Konsiderojeni si një dalje të përkohshme të lumit nga shtrati. Jo si daljet e furishme të Drinit apo Vjosës, që është e vështirë t`i kthesh në të vjetrin, por si daljet e rralla e të lehta të lumit Shkumbin.
Nuk ka sendërgji. Do të orvatem ta sjell me pak humor apo satirë si të doni quajeni dhe me fjalë sa më të kuptueshme për ju publikun e gjërë, që një autor me mjeshtëri shprehej: “E madhja Gjykatë Apeli e quajtur Shoqëri”. Sot gjyqtari jeni ju. Satira, që në dukje të krijon përshypjen e humorit, në fakt ka zemërimin, zhgënjimin dhe gjithë fjalët e tjera që përshkruajnë keqardhjen njerëzore. Siç thoshte dikur Fridriq Niçe “Njeriu vuan aq shumë, sa iu desh të shpikte të qeshurën”.
Parlamenti është foltorja më e madhe publike e çdo shteti demokratik perëndimor. Emërtimet janë të ndryshme dhe ngandonjëerë të përafërta me rrënjë latine “parliament”, “parlement”, “parlamento”, “skupstina”, që do të thotë “atje ku flitet”. Në shqip tingëllon aq bukur “kuvend”, atje ku kuvendojnë, rrahin mendimet paria, pleqësia, sot përfaqësuesit e popullit: deputetët. I konceptuar si “tempulli i debatit publik”, prej disa vitesh tashmë, zor se mund të konsiderohet i tillë. Nuk ka të krahasuar me parlamentin e viteve 1920-1924 apo 1992-1996, ku shkëlqenin intelektualët me madhështinë e fuqisë së fjalës së tyre. Sot më shumë debat politik dëgjon në lagje, sesa në Kuvendin e Shqipërisë. Tek-tuk dëgjohet ndonjë deputet të marrë fjalën dhe të mbajë ligjëratën. Duket luks të flitet pastër, qartë e pa gabime gjuha shqipe. Shumica dërrmuese, thjesht ngrenë kartonin.
Filozofi britanik i së drejtës Xhon Lok shprehej se janë dy pushtete të shtetit. Disa dhjetëvjeçarë më vonë, Monteskjë hodhi idenë se janë tre pushtete: legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori. Filozofi francez arsyetonte në mënyrë tepër logjike se njeriu për nga natyra është arbitrar dhe përqendrimi i pushtetit tek një person i vetëm, krijon prirje për arbitraritet. Prandaj këto pushtete janë të ndara. Idetë e Monteskjë ngjizën. Fillimisht u aplikuan në SHBA dhe më pas në Europën Perëndimore. Kur sheh ligjvënësin shqiptar, e ke të vështirë të pranosh teorinë e Monteskjesë, të bësh ndarjen midis pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv. Çfarë mund të mendosh për një sallë, ku nuk debatohet? Me humor, një magjistrat i gjykatës së apelit përmendi në mbledhjen e përgjithshme, “pushteti gjyqësor” dhe “pushteti tjetër”, pa bërë ndarjen midis legjislativit dhe ekzekutivit. Sepse është e kotë të thellohesh, duken një.
Ndërsa diskutohej një nga çështjet më të nxehta të ditëve të fundit, do të shkoja më tej, të dekadave të fundit: respektimi i parimit të shtetit të së drejtës, respektimi i parimit të ndarjes së pushteteve, respektimi i pavarësisë së pushtetit gjyqësor, respektimi dhe detyrimi për zbatimin e instancës që garanton ruajtjen e rendit kushtetues- Gjykatës Kushtetuese, dukej si në seancë e zakonshme plenare. Gjithë Kreu I i Kushtetutës- parimet themelore, në atë që quhet “bërthama kushtetuese”. Asgjë me rëndësi për të nderuarit deputetë. Asgjë për t`u trandur.
Të nderuarit deputetë dhe përfaqësues të ekzekutivit nxituan të alarmojnë opinionin publik se Kuvendi i Shqipërisë është sovrani, se është ndërhyrë në juridiksionin e tij. Kuvendi i sotëm ngjason me dramën e ndaluar në vitet 1832 të titulluar “Mbreti zbavitet” (Le roi s`amuse) të Hygoit. Drama me pak fjalë ka personazh mbretin, sovranin absolut. I njohur në oborrin mbretëror si “womanizer”, mbreti kërkon të argëtohet. Ngarend nga një lagje në tjetrën për të kërkuar vasha të reja. Ndërsa për mbretin është thjesht zbavitje, për personazhet e tjera luhet fati i tyre. Argëtimi i tij është tragjedi për të tjerët. Pikërisht këtë bëri, Kuvendi sot, ndërsa miratimi i ligjeve mund të duket si argëtim, diskutohet fati i magjistratëve dhe taksapaguesve shqiptarë.
Kuvendi duket si Penelopa, jo ajo madhështorja homeriane, por Penelopa e Zezë, që ditën tjerr ligje të mira dhe natën i zhbën ato. Nuk pret Uliksin, që ta shpëtojë atë bashkë me Itakën. Ligjet e Reformës në Drejtësi të miratuara me shumë mund në vitin 2016, filluan të zhbëhen, duke filluar nga paga. Hap pas hapi 2021, 2023 dhe tashmë në 2026, duke bërë të kundërtën e asaj që arsyetonte në jurisprudencën e saj Gjykata Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenin përkatës të ligjit, që prekte pagën referuese të magjistratit. Këtë e bëri disa herë në vitet 2021, 2023 dhe së fundi në vitin 2026. Gjykata Kushtetuese tha “jo”. As referimi tek paga e Presidentit nuk është i drejtë, sepse duke qenë “pagë fikse”, që tepër rrallë pëson rritje, në thelb përbën ulje të fshehtë. Kuvendi nuk reflektoi, nuk arsyetoi, por u soll me zemërim, duke dërguar ligjin me të njëjtën referencë page: tek Presidenti. Këtë herë ushtari qëlloi veten në këmbë. Shkurt, në thelb miratoi të njëjtin ligj.
Përfaqësues të pushtetit ekzekutiv, por edhe analistë në median vizive dhe atë të shkruar nxituan të proklamojnë se “Kuvendi është sovrani”, “Gjyqtarët po caktojnë vetë pagat”. “Gjykatat kanë tejkaluar kompetencat”. Në të vërtetë, neni 2/1 i Kushtetutës parashikon shprehimisht se “Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit”. Aq shumë është thënë e stërthënë nga Zhan-Zhak Ruso, sa vështirë ta harrojë i madh, e i vogël, i arsimuar e i paarsimuar, person i dehur apo esëll. Ky sovranitet ushtrohet nëpërmjet përfaqësuesve të popullit, që janë deputetët e Kuvendit, në atë që e quajmë demokraci përfaqësuese. Në raste të rralla, realizohet drejtpërdrejt nëpërmjet referendumit. Populli shqiptar në vitin 1998, miratoi me referendum Kushtetutën, duke përcaktuar institucionet kushtetuese dhe kompetencat e tyre: Kuvendi, Presidenti, Gjykata Kushtetuese etj. Nga kjo pikëpamje sovrani, ka autorizuar ndarjen dhe kontrollin e pushteteve. Pushteti legjislativ miraton ligje. Ekzekutivi kujdeset për zbatimin e ligjeve. Pushteti gjyqësor jep drejtësi, duke zbatuar ligjet. Gjykata Kushtetuese kontrollon pajtueshmërinë e ligjeve të parlamentit me ligjin themeltar të shtetit.
Askush nuk ka vënë në diskutim legjitimitetin e Kuvendit, të drejtën e tij për të miratuar ligje. Theksi është vënë tek zbatimi i Kushtetutës, parimit të kushtetuteshmërisë, ushtrimi i kompetencës për të miratuar ligje brenda kufijve të kushtetuetshmërisë. Respektimit të Kushtetutës si ligj themeltar i shtetit. Respektimi i shtetit të së drejtës, të sanksionuar në nenin 4/1 të Kushtetutës “E drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit”. Kjo do të thotë, se ligjet e parlamentit duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, ashtu siç ligji themeltar është kuptuar e interpretuar në mënyrë përfundimtare nga Gjykata Kushtetuese. Diskrecioni i Kuvendit për të ndryshuar ligjin për magjistratët, kufizohet brenda kontureve të vendosura nga Gjykata Kushtetuese. Pa dashur të zgjatem, ligje miratonte edhe regjimi i Hitlerit, ligje miratoheshin edhe në regjimet komuniste. Krimet e holokaustit u kryen formalisht me ligje. Për të mbajtur parlamentin në shinat e kushtetutshmërisë, që nga vitet 1920 dhe më pas gjerësisht pas përvojës së Luftës së Dytë Botërore, vendet demokratike perëndimore, përqafuan teorinë kelzeniane, krijuan institucionin e gjykatës kushtetuese, si rojtar i Kushtetutës. Ligjet që vijnë në kundërshtim me ligjin themeltar, shfuqizohen nga Gjykata Kushtetuese. Doja ta vija në dukje këtë, sepse lexova një shkrim të një gazetari këto ditë. Pavarësisht emrit, Gjykata Kushtetuese nuk është pjesë e sistemit gjyqësor, domethënë është jashtë sistemit treshkallësh të pushtetit gjyqësorit. Teoricienët e së drejtës e konsiderojnë “institucion i veçantë” (sui generis). Ndjeva të nevojshme të qartësoja këtë çështje, sepse perceptohet sikur gjyqësor ka çuar ujë në mulli të gjyqësorit, sikur gjyqësori ka rritur pagën e vet.
Nuk jemi në Shek. XVIII, ku duhet të afirmohej në Angli “parimi i supremacisë së parlamentit” kundrejt pushtetit të mbretit. Nuk jemi as në kohën e regjimit të asamblesë jakobine. Jemi në epokën e shtetit të së drejtës, ku vepron parimi i epërsisë së Kushtetutës mbi të gjitha aktet normative të tjera, përfshirë ligjet e miratuara nga parlamenti (parimi kushtetuetshmërisë). Askush nuk është mbi Kushtetutën, as vetë Kuvendi.
Çështja e pagave të magjistratëve, nuk ka qenë vetëm çështje shqiptare. Gjykata Kushtetuese e Sllovenisë në vitin 2023 vurinë në dukje paga e gjyqtarëve në këtë vend ishte 1.5 herë sa paga mesatare në vend, ndërsa në Bashkimin Europian mesatarja ishte 2.3 herë e pagës mesatare në shkallë vendi. Gjykata theksoi se “Paga duhet të jetë e tillë, që të mos dekurajojë profesionistët e ligjit për t`u bërë gjyqtarë” (Vendimi nr. 772/21-2023)
Me Vendimin nr. 15/2026 Gjykata Kushtetuese i kërkoi Kuvendit, te respektojë kategorinë e pagës së njohur në vitin 2016, duke i rikujtuar se neni 138 i Kushtetutës nuk lejon uljen e pagës së gjyqtarëve. Gjykata Kushtetuese shkoi më tej. Nuk lejohet as ulje e hapur dhe as ulje e fshehtë e pagës. Kushtetuta përcakton se interpretimi që bën Gjykata Kushtetuese është përfundimtar. Legjislativi duhet të sendëtojë atë çka është vendosur nga kjo gjykatë. Ky vendim nuk ishte një betejë e vogël për parlamentin. Ishte Napoleoni në Vaterlo: disfata finale. Tashmë ky vendim është një gurthemeli (cornerstone) në jurisprudencën kushtetuese, për sa i përket pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Ligji i ri duket si “aventura 100 ditëshe napoleoniane”, sepse me shumë gjasë shoqatat e magjistratëve do të kërkojnë antikushtetueshmërinë e tij në Gjykatën Kushtetuese. Nuk ka asgjë kimerike. Ky ligj do të jetë jetëshkurtër. Do të jëtë një nga çështjet më të thjeshta për Gjykatën Kushtetuese në historinë e saj, sepse do të konstatojë se përpara saj ka të njëjtin ligj, të njëjtën shkelje kushtetuese. Këtë herë jo thjeshtë shkelje, por qesëndi, shpoti, shpërfillje kushtetuese. Mbetet vetëm të theksojë se çështja përbën gjë të gjykuar, të ashpërsojë tonin, duke rikujtuar detyrueshmërinë që imponon Kushtetuta për të gjitha institucionet për respektimin e vendimeve të saj, përfshirë ligjvënësin.
Para disa vitesh lexova një libër interesant të autorit amerikan “Michael Gerhardt” të titulluar “Fuqia e precedentit” (The power of precedent). Autori me mburrje theksonte se që nga krijimi i Gjykatës së Lartë në në vitet 1800 dhe deri në vitin, kur ishte shkruar ky libër (2007), në të gjithë historinë e tij, Kongresi Amerikan vetëm 4 (katër) herë nuk kishte respektuar precedentët e vënë nga kjo gjykatë supreme. Në të gjitha këto raste ishte bërë rishikim i Kushtetutës. Nuk kam statistika të sakta për vendin tonë, se sa herë Kuvendi nuk ka zbatuar vendimet dhe orientimet e Gjykatës Kushtetuese, por mund të them me bindje se vetëm antikushtetuetshmëritë e konstatuara në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, deri tani janë 3 herë: 2022, 2023 dhe 2026. I katërti dhe më i thjeshti do të jetë ligji i ri i sapomiratuar.
Arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese në 65 faqe, që citon se paga nuk duhet të jetë e “ngrirë”, se në përcaktimin e pagës duhet të merret parasysh tregues si inflacioni, indeksi i çmimeve, zhvillimi ekonomik etj, u rrudh në 2 faqe projektligj. Ligjvënësi u mjaftua me rritjen e koeficentit për pagën e magjistratëve nga 0.36 në 0.38, por pa ndryshuar referencë. Ky veprim, të sjell në mendje atë fëmijën e vogël, që përmbyset mbi dysheme dhe përplaset me këmbë e duar. Kur i rrituri i afrohet dhe e pyet “Ç`ke që qan?”. Përgjigjet shkurt: “Nuk dua”. Nuk arsyeton, nuk reflekton, thjesht vepron. Emocioni mund arsyen.
Skenari legjislativ përngjan me romanin “Kundërshtari” të autorit Emmanuel Carrère. Personazhi kryesor Romandi, kishte humbur gruan, fëmijët dhe prindërit. Tenton vetëvrasjen, por dështon. Më vonë zbulon se nuk ishte mjek. Kishte 18 vjet që gënjente. Ngaqë nuk duronte dot vështrimin e tyre, në prag të zbulimit të kësaj gënjeshtre të madhe, vendosi t`i zhdukte ata të cilëve nuk mund t`u përballonte vështrimin. Kundërshtari ishte pikërisht vetë ai.
*Gjyqtar