Vrau 12 vite më parë Ilir Rexhepin, si ADN-ja e gjakut " tradhtoi" korçarin!

1 Qershor 2023, 14:13Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Në foto: Mihal alias Mirgen Toshi

Mihal alias Mirgen Toshi, është marrë i pandehur për një vrasje të kryer 11 vite më parë në Elbasan.

Ndaj Toshit është ngritur akuza e "Vrasjes me paramendim" kryer në bashkëpunim në dëm të biznesmenit Ilir Rexhepi dhe "Mbajtjes pa lejë të armëve".

Komunikimi i dy akuzave i është bërë Toshit përmes avokatit mbrojtës, pasi korçari ndodhet i arrestuar dhe dënuar me 16 vite burg për trafik droge në Greqi.

Hetimi dhe gjykimi i tij do zhvillohet në mungesë, ndërsa për akuzat e ngritura gjatë marjes në pyetje në burgun grek, Toshi nuk ka dhënë shpjegime.

Mihal Toshi, është vëllai i Damiano Toshit, i cili është dënuar nga gjykata e Elbasanit me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy basketbollistëve të “Skëndërbeut” në Korçë, Sokol Jahollarin dhe Rafael Rizan, si dhe plagosjen e Julian Beckës.

Mihal Toshi është zbuluar nga një analizë ADN-je gjaku, njolla të cilat u gjendën në vendin e krimit, ku u ekzekutua Ilir Rexhepi në Elbasan, shkruan ora.

Mësohet se ADN-ja e Toshit është ekzaminuar dhe në dy ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në Elbasan,si ajo e vrasjes së Ardian Ibrahimit, kunatit të Fadil Memës dhe vrasjes së Roland Rexhepit, por profilet në këto ngjarje kanë dalë negative.

Vrasja e Ilir Rexhepit në 2011 është kryer me pagesë, për llogari të një grupi kriminal në Elbasan.

Kjo pasi dy vite më parë, në 29 korrik 2009, i njëjti grup kriminal, urdhëroi vrasjen e vëllait të Ilirit, Roland Rexhepit ose siç njihej ndryshe me nofkën ”Doda”.

Eleminimi i dy vëllezërve është pjesë e serialit të vrasjeve mafioze të ndodhura gjatë këtyre viteve në qytetin e Elbasanit, ku si pasojë e përplasjeve mes grupeve kriminale, janë rregjistruar shumë viktima.

Video