VIDEO-LAJM/ Momenti kur Habib Rexha largohet pasi ekzekutoi Arjan Gosën!

24 May 2023, 12:43Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

VIDEO-LAJM/ Momenti kur Habib Rexha largohet pasi ekzekutoi Arjan Gosën!

Ky është momenti ku Habib Rexha është larguar me vrap pasi ekzekutoi me armë zjarri Arjan Gosën. Në pamjet, shihet 31-vjeçari në trotuar duke ikur me vrap dhe ndërsa armën e ka në dorë.

Momenti është kapur nga kamerat e sigurisë në zonë në orën 17:15 të pasdites së të dielës (21 maj). Në momentin që ai ikën me vrap një nga kalimtarët ndalon në rrugë dhe e shikon.


Habib Rexha ekzekutoi me plumb në ballë Arjan Gosën në një lokal në Kavajë në sy të të atit. Rexha i dha fund arratisë të martën (23 maj), rreth dy ditë pas kryerjes së vrasjes në shenjë hakmarrjeje.

31 vjeçari u vetëdorëzua pas negociatave të vazhdueshme të Policisë me familjen e tij. Pas negociatave u ra dakord që Habib Rexha të vetëdorëzohej, pranë një kryqëzimi në autostradën Tiranë-Durrës.

Shkëmbimi është bërë në një makinë të oficerëve të Kavajës dhe më pas është dërguar në Komisariat.

“Kam qenë në makinë me shokun tim. Rastësisht u ndodhëm në të njëjtën zonë me ta dhe nuk kisha të planifikuar asgjë. Por kur e pashë që ishte aty i thashë shokut më lër këtu dhe më prit pak më larg. Ai nuk dinte asgjë. Më tha po dhe unë zbrita ai u largua. Pasi e vrava, kam shkuar te makina dhe kam lëvizur deri në dalje të Kavajës. Më pas jam larguar”, ka deklaruar ai para hetuesve.

Kjo është një pjesë e dëshmisë së 31-vjeçarit dhënë menjëherë pas dorëzimit në Policinë e Durrësit.

Ai ka treguar detaje të atij momenti kur është përballur me babë e bir dhe më pas “arratinë” e tij, duke treguar se për asnjë moment nuk kishte vendosur të largohej për ndonjë vend tjetër. Familjarët mësohet se i kërkuan kohë policisë për shkak se i druheshin temperamentit të tij.

Një ditë pas dorëzimit në Polici të Habib Rexhës, janë gjetur makina dhe arma me të cilin ai vrau Arjan Gosën. 31-vjeçari kishte fshehur armën dhe makinën në zonën e Plazhit në Durrës, me qëllim për të humbur gjurmët.

Po ashtu mësohet se armë është dërguar në laboratorin e kriminologjisë, me qëllim për t’u parë nëse kjo armë është përdorur apo jo në krime të tjera.

Ka qenë vetë Habib Rexha që ka treguar se ku e kishte fshehur armën. Me 31 mars, Kavaja do të tronditej nga një ngjarje brutale për motive banale.

Një grindje e hershme mes Edmond Gosës (vëllai i Arjan Gosës) dhe Altin Rexhës (vëllai i Habib Rexhës) përfundoi me një sherr të përgjakshëm ku të dy personat e përfshirë në debat humbën jetën.

Edmond Gosa e sulmoi me thikë fqinjin e tij teksa ky i fundit mbante për dore edhe fëmijën e tij të mitur duke e plagosur rëndë. Ndërsa nga ana tjetër,  Altin Rexha nxori armën duke qëlluar për vdekje Edmond Gosën. Altin Rexha humbi jetën në spital si pasojë e plagëve të marra.


Video